Analisti gjerman në Këshillin për Politikë dhe Demokratizim në Berlin, Bodo Weber, gjatë vitit 2021 pret një rivendosje të vërtetë të dialogut.
Ai beson se marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë do të krijojë një Kosovë të re, ku komuniteti shqiptar dhe ai serb do të jetojnë të qetë pranë njëri-tjetrit.
”Unë besoj se një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse që do të kompletojë pavarësinë e Kosovës dhe të drejtat kolektive dhe masat mbrojtëse për serbët e Kosovës do të duhet të krijojë një Kosovë të re, e cila nuk do të jetë kthim në 1999 ose 1989, por një shoqëri e re që do të mundësojë që komunitetet shqiptare dhe serbe mund të jetojnë të qetë pranë njëri-tjetrit për fillimin”, tha Weber për Kosovo Online.
Sipas Weber, 2020 ishte një vit në të cilin ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve u mposht përfundimisht që sipas tij, kjo ide do të kënaqte vetëm interesat personale të dy presidentëve [Thaçit dhe Vuçqit] dhe disa përfaqësuesve të papërgjegjshëm të Perëndimit.
Weber vlerëson se kjo ide do të çonte në një eksod kolektiv të serbëve në jug të Ibrit dhe se veriu i Kosovës do të përfundonte, siç tha ai, në një Serbi autokratike me një status të ngjashëm me Kurshumlinë.
Sipas analistit gjerman, rivendosja e dialogut duhet të çojë në fillimin e negociatave të mirëfillta për një marrëveshje gjithëpërfshirëse bazuar në parimet nga viti 2014, të cilat ai thotë se atëherë u pranuan nga Beogradi, respektivisht se koha për ndryshimin e kufijve në Ballkan ka kaluar.
Weber beson se Serbia duhet t’i kthehet politikës reale bazuar në faktin se, vetë është përgjegjës për humbjen e Kosovës dhe se fokusi i dialogut duhet të jetë në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të serbëve në Kosovë.
“Unë besoj se pasi është vendosur korniza dhe parimet e negociatave, e cila përfshin, e këtë e di edhe presidenti Vuçiq, njohjen e Kosovës nga Serbia në një proces të gjatë të zbatimit të marrëveshjes përfundimtare, e cila duhet të përfundojë me pranimin e Serbisë në BE, do të gjendet zgjidhje reale për të gjitha temat e hapura bilaterale, duke përfshirë edhe këtë [njohjen e Kosovës nga Serbia]”, tha Weber.