Analiza/ Agim Nesho: A mundet dhe si mundet të rrëzohet monstra e pushtetit

Nga Agim Nesho

Korrupsioni ka kohë që e ka shkatërruar shtetin, hequr shpresën dhe larguar shqiptarët në masë. Deri te rasti i kryetares së shërbimit të inteligjencës SHISH dhe bashkëpunimi i saj me krimin e organizuar, mund të mendohej se shteti mund të vepronte dhe organet e drejtësisë do të vepronin duke dënuar fajtorët. Sot është faktuar se sekti i Rilindjes nuk është vetëm një përbindësh i shpërdorimit të fondeve dhe pronës publike, por një monstër e lidhur me krimin e organizuar që e ka shpartalluar Republikën, ka kapur shtetin dhe po vepron për të konsoliduar pushtetin në formën e një diktature të re, që në kohët e sotme shprehet në terma të moderuar – autokraci elektorale. Në formë shteti shfaqet si një fasadë demokratike, ndërsa në substancë vetëm shtet policor, pushtet të centralizuar, media të kontrolluara, shoqëri civile të kapur dhe justifikuese e veprimeve të autokratit.

A mund të rrëzohet monstra?

Kushti kryesor për të rrëzuar një regjim është pakënaqësia e madhe dhe në rritje e opinionit publik, i cili jo vetëm e kundërshton veprimtarinë e një pushteti të korruptuar por që këtë veprimtari nuk e pranon për të qeverisur vendin. Për të rrëzuar monstrën duhet të përputhen dy faktorë kryesorë: faktori i jashtëm dhe faktori i brendshëm. Ndërsa faktori i brendshëm ka arritur pikën kritike të ngopjes dhe njerëzit presin me padurim largimin e këtij regjimi, faktori i jashtëm mbetet në fazat e para të sensibilizimit se cfarë realisht po ndodh në Shqipëri.

Ky realitet i tanishëm shpjegohet së pari nga karakteri klientelist i regjimit që ofron bashkëpunim pa kushte me faktorin e jashtëm, duke e kthyer Shqipërinë në një fushë eksperimentale për të realizuar politikat dhe projektet e shteteve të fuqishme në këmbim të sigurisë dhe përkrahjes së regjimit. Marrëveshja me Melonin, shteti bektashi, marrëveshja për kthimin e emigrantëve nga Britania e Madhe, koncesionet për firmat franceze, izraelite, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, etj.

Së dyti, pushteti i sektit është korruptiv dhe i aftë të blejë influencë në pikat e dobëta të burokracisë perëndimore si rasti McGonigal, etj.

Së treti, ka pranuar skenarë anti-kombëtarë që përkojnë me projekte të grupeve të interesit perëndimorë si organizata Soros, për të realizuar strategji “stabilizuese dhe paqe” në Ballkanin Perëndimor në dëm të Kosovës dhe rritjes së dominimit ekonomik serb në Ballkan, si projekti Ballkani I Hapur.

Së katërti, në kushtet e rendit të ri ndërkombëtar të rivalizimit të fuqive të mëdha për zona influence, SHBA dhe BE janë të prirura për të mbajtur stabilitet në rajon, pra mos-ndryshim, edhe në kushtet e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe mosfunksionimin e shtetit të së drejtës.

Në kushtet e sotme të revoltës popullore, të diskretitimit të regjimit nga ana e opozitës, pozita ndërkombëtare e regjimit të Ramës është diskretituar, por jo e shkatërruar në atë shkallë që partnerët ndërkombëtarë duhet të veprojnë për ndryshim.

Për këtë kërkohet:

Së pari, pjesëmarrje aktive dhe diskretitim në shtypin ndërkombëtar të qëndrimeve dhe aferave korruptive të Ramës.

Së dyti, krijimi i grupeve të presionit nga ana e diasporës për të bërë presion direkt në qendrat kryesore të vendim-marrjes botërore për cfarë ndodh në Shqipëri. Ndihma e diasporës për të ndihmuar vendin është më e nevojshme në vendet e tyre, sesa prania si indididë në protestat popullore në Shqipëri.

Së treti, opozita jo vetëm të jetë demaskuese për veprimet e regjimit Rama, por të imponojë veten si një alternativë e besueshme me një program të qartë qeverisës.

Së katërti, opozita dhe shoqëria duhet të punojë për të realizuar në të gjitha mënyrat lobing politik në qendrat kryesore vendim-marrëse si Washington, London, Berlin, Bruksel, etj.

Të gjithë këto elementë të rëndësishëm duhet të koordinohen me faktorin e brendshëm, i cili është determinues në shkatërrimin dhe heqjen e regjimit.

Si mund të largohet monstra?

Lëvizja popullore në Shqipëri, e njohur si Revolucioni Flamingo, është një nga fitoret më të mëdha të shoqërisë demokratike të re në Shqipëri, që ngrihet në mbrojtje të interesave të vendit dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Kjo lëvizje popullore e vetme e ka të vështirë të heqë nga pushteti një regjim të konsoliduar me ndihmën e krimit të organizuar dhe sistemit të shtetit policor që vepron.

Kjo lëvizje arriti të realizojë, ndër të tjera:

Hoqi frikën dhe nënshtrimin e individit për të reaguar në mbrojtje të të drejtave të tij të garantuara nga sistemi demokratik
Tregoi se revolta popullore kundër regjimit është masive dhe regjimi ka kaluar pikën kritike ku mund të korrigjohet. Regjimi duhet të largohet me cdo mënyrë.
Bashkoi elementet e shoqërisë të paangazhuar (zonën gri), intelektualët, artistët, studentët, pensionistët në një front të përbashkët për të mbrojtur interesat kombëtare nga një regjim i papërgjegjshëm që e ka nxjerrë vendin në shitje.

Duke qenë se në protestën popullore qëllimi ështëi përbashkët për të hequr regjimin por interesat janë të ndryshme nga grupime të ndryshme, rrëzimi i regjimit bëhet i vështirë pa një masë kritike të popullit, veprimi i të cilës e paralizon pushtetin. Për këtëqëllim duhet që protesta të hapet, të bashkohet me opozitën pa paragjykim dhe të mos pranojë provokimin e Ramës që si ne ashtu edhe opozita nuk është e denjë. Nga ana tjetër, opozita, si forcë e organizuar, duhet të marrë pjesë në organizimin e përbashkët të protestës dhe të kërkojë që ky revolucion të ketë një komitet organizator ku përfaqësuesit më me zë të popullit, intelektualët e ndershëm dhe të përgjegjshëm dhe me vizion të drejtojnë protestën. Kjo dhe për arsyen se Rama kërkon të ndajë opozitën, të blejë lidera dhe influencierë nga protesta për të mos arritur bashkimin dhe realizimin e qëllimit të popullit për të hequr regjimin. Me arritjen e bashkimit të opozitës dhe arritjen e numrit kritik të pjesëmarrësve edhe aksioni politik duhet të bëhet më radikal duke pasur parasysh papërgjegjshmërinë e regjimit për të reflektuar dhe për të dhënë dorëheqjen. Bashkimi i popullit të paangazhuar dhe atdhetar me opozitën do të ndihmojë edhe organet e drejtësisë të veprojnë duke thyer ato ingranazhe kapëse, që regjimi i ka instaluar për të kontrolluar institucionet e drejtësisë.

Në vend të përfundimit

Suksesi i revolucionit popullor në Shqipëri është një domosdoshmëri për të mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj perëndimore. Një dështim i tij do ta çonte Shqipërinë drejt një kohë të errët të autokracive lindore. Suksesi i tij varet nga bashkimi i çdo force për të hequr regjimin dhe kthyer normalitetin dhe fillimin e një republike të re me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Atëherë opinioni botëror do ta kuptojë që shqiptarët nuk janë të aftë vetëm për të mbrojtur flamingot dhe ekosistemet, por beteja e tyre ishte kundër diktaturës dhe nxjerrjes së Shqipërisë për shitje.

The post Analiza/ Agim Nesho: A mundet dhe si mundet të rrëzohet monstra e pushtetit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme