Nga Mentor Kikia
Një baner gjigand që dëshmonte solidaritetin e popullit shqiptar të Kosovës me popullin e Ukrainës u hoq, pasi presidenti Zelensky e siguroi presidentin e Serbisë se Ukraina nuk do ta njohë kurrë shtetin e Kosovës.
Çfarë pabesie dhe poshtërsie!
Zelensky mund ta vizitojë Serbinë, aleaten më të madhe të Rusisë në Europë. Diplomacia mund ta dojë që t’i fshijë edhe këpucët. Por atë nuk e detyronte asgjë që t’i përbetohej Vuçiçit se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Ai e bëri këtë, edhe pse është e qartë se, kur të shpallin pavarësinë territoret ukrainase të pushtuara nga rusët, të parët që do ta njohin “shtetin e ri”, pas Rusisë, do të jenë serbët.
Lexova disa qëndrime diplomatike që justifikonin deklaratat e Zelenskyt, sepse “diplomacia është gjë e madhe dhe kështu luhen gurët e mëdhenj”.
Por, në raport me shqiptarët që kanë marshuar me flamuj ukrainas nëpër rrugë dhe i kanë shpallur “luftë” Rusisë, përtej arsyes së arsyeshme, kjo është hipokrizi dhe pabesi.
Në Prishtinë kanë plotësisht të drejtë të zemërohen.
Por kam bindjen se edhe ne duhet të zemërohemi.
Qeveria jonë, që dikur nxirrte administratën me urdhër të marshonte në bulevard me banera “Free Ukraine” dhe emërtonte rrugën “Ukraina e Lirë” para Ambasadës Ruse, sot duhet të ndihet e zhgënjyer.
The post Analiza/ Çfarë pabesie dhe poshtërsie! Pse në Prishtinë kanë plotësisht të drejtë të zemërohen appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



