Analizë: Pse po ngutet Serbia ta destabilizojë Kosovën?

 

Serbët organizuan festë kur Donald Trump i fitoi zgjedhjet. Pse, ata, tash nuk po e presin në qetësi Trump’in që ta marrë timonin në Shtëpi të Bardhë? A po frikësohen serbët që Trump dhe Putin do të bëjnë tregti në mes të Kosovës dhe Krimesë?

 

Prej kur është shpallur pavarësia, Serbia kurrë më shumë nuk ka ndërmarrë hapa provokues në drejtim të Kosovës. Pothuajse për çdo javë shpik diçka të re.

E filluan me ndërtimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës. Në rrethana normale, duke marrë parasysh kontekstin, secili shtet do të duhej të ndërhynte për ta rrënuar atë. Teorikisht një akt i tillë i Prishtinës do të ishte i domosdoshëm, por praktikisht dërgimi i mjeteve të rënda për rrënimin e tij do të nxiste tensione të mëdha në mes të banorëve, në të dy brigjet e lumit. Do të kishte gjasa reale për një gjakderdhje të re, e cila do ta krijonte një momentum të ri politik, që do ta dëmtonte pozicionin e Kosovës në botë – në këtë botë të re dhe të paqartë.

Pastaj, nuk vonoi shumë dhe ndodhi arrestimi i Haradinajt në Francë. Do ta gjenim veten në një mal të dendur, sikur të provonim të bënim çfarëdo analize për ta sqaruar këtë situatë. Ajo çfarë mund të themi është se Serbia, karshi Francës së fuqishme, u soll në mënyrë shumë më arrogante, se sa ishte sjellë, bie fjala, në rastin kur Sllovenia e kishte ndaluar z. Haradinaj. Shkoi aq larg sa tha se, nëse nuk do të dorëzohej Haradinaj në Serbi, atëherë as Serbia nuk do të vepronte me reciprocitet me Francën në të ardhmen. Saga me Z. Haradinaj do të vazhdojë edhe më tutje. Nuk e dimë ende përfundimin. Por e dimë që këtë herë Serbia ishte shumë më e patakt.

Kur tensionet ishin shumë të larta, u nis për në vendin tonë vozhdi serb, Tomislav Nikolic, person përgjegjës për krime të shumta në Ballkan. Kjo vizitë vetëm për t’i ulur tensionet nuk po bëhej. Prezenca e Nikolicit në Kosovë, kur Haradinaj po mbahej në burg në Francë, do të ishte një thirrje e hapur për kryengritje.

Fatbardhësisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Nikolic u ndal të mos futej në vendin tonë. Por, ky nuk ishte fundi i provokimeve, që nuk po bëhen nga Prishtina, por nga Beogradi. Dhe nuk po bëhen rastësisht, me një fluks kaq të dendur.

Shteti serb në mënyrë të hapur, me një paralajmërim afatgjatë, vendosi që të provokojë në mënyrën më brutale të mundshme: duke e nisur për në Kosovë, në rrugë hekurudhore, reklamën më të madhe kundër shtetit tonë. Pra, treni, nuk ishte një gjë që po provohej të bëhej natën, ose në mënyrë të pavërejtur. Ishte një akt që po bëhej qëllimshëm, me një paralajmërim bombastik, në disa gjuhë të botës. Ndaj këtij provokimi ishte e pamundur të qëndrohej në mënyrë indiferente. Ekzistonte vetëm një opsion: të ndalej.

Beogradi e ka ditur që në krye të herës se Prishtina do ta ndalë atë. Në të kundërtën do të ishte fiasko totale për Kosovën. Kapitullim. Ajo çfarë po shpreson Beogradi është që Prishtina të mos ndalet me kaq. Dëshira e autoriteteve serbe është që Prishtina të lëshohet në avantura të rrezikshme ndaj serbëve lokalë. Në kohë krizash, në kohë tensionesh, gabime të tilla janë vazhdimisht të mundshme. Mjafton një provokim, një shkëndijë, që gjërat të shkojnë në mënyrë krejt të gabueshme.

Pyetja që shtrohet është kjo: Pse Beogradit po i ngutet kaq shumë?

Në botë, muajt e fundit, kanë ndodhur zhvillime dramatike, posaçërisht ndërrimi i administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë do të duhej të ndieshim të shqetësuar për shkak të humbjes së aleatëve tanë në zgjedhjet e fundit atje. Në krye të shtetit po vjen Donald Trump, për zgjedhjen e të cilit serbët u gëzuan aq shumë. Madje festoi edhe kryeradikali serb, Vojisllav Sheshel. Në veri të vendit u vendosën pano reklamuese me foton e Presidentit të zgjedhur Trump.

Por pse serbët nuk po e presin në qetësi ardhjen e z. Trump në krye të shtetit?

Deri në ardhjen formale të tij në krye të shtetit ka ngelur më pak se një javë. Logjikisht, a nuk do të duhej që serbët edhe këtë javë ta mbanin frymën, duke e pritur një frymë të re?

Një gjë e tillë duket vetëm në shikim të parë, sepse qeveria e Serbisë duket jashtëzakonisht e interesuar që ta krijojë një realitet tjetër politik në Kosovë, përpara se administrata Trump të fillonte punën. Mënyra e vetme për ta bërë një gjë të tillë është duke nisur gjakderdhje të reja, mundësisht në kurriz të serbëve lokalë, dhe mundësisht përpara konsolidimit të Trumpit në krye të Amerikës.

Saktësisht për këto arsye, Presidenti Nikolic thotë se vrasja e serbëve në Kosovë do ta detyronte Serbinë që të ndërhynte në mbrojtje të tyre. Teknikisht këtë gjë nuk do ta lejonin forcat ndërkombëtare, ato të KFOR’it. Mirëpo me këtë paqartësi ndërkombëtare, pra kur administrata amerikane nuk është edhe më tutje në vend të vetin, cdo gjë do të ishte e mundur. Një imitim i inkursionit rus në Krime nuk është një gjë e paimagjinueshme. Viktimat e shumta në rrugë janë arsyetim i mirë për lloj – lloj çmendurish.

Raporti i Presidentit të ardhshëm amerikan, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në vend që të ishte mesazh i mirë për Serbinë, duket që të jetë ankth për ta. Qeveria e Serbisë e di, ose e ka mësuar ndërkohë, që raportet ruso – amerikane në botë janë shumë më të rëndësishme, janë shumë më të ndërlidhura, sesa raportet ruso – serbe. Kjo gjë bëhet shumë më e qartë kur i lexon intervistat e Presidentit rus, të dhëna në vazhdimësi, se Perëndimi duhet t’ia njohë Rusisë aneksimin e Krimesë, sikur që e ka njohur Kosovën shtet të pavarur. Madje, Putin në një intervistë të dhënë për mediat gjermane, vitin e kaluar, gjente edhe bazë ligjore për pavarësinë e Kosovës. Nëse ne i kemi lexuar dhe dëgjuar këto intervista, është lehtë e supozueshme që këtë ta ketë bërë edhe kreu politik dhe shtetëror i Serbisë. Ata e kanë shumë te qartë se Rusia është e gatshme të bëjë tregti me Perëndimin – SHBA’të – për një këmbim në mes të Krimesë dhe Kosovës. Se Rusia pajtohet që t’i realizojë disa interesa të saj strategjike, këtë e ka bërë të ditur edhe Presidenti i zgjedhur Trump, i cili në javët në vijim do ta takojë në një samit të jashtëzakonshëm Presidentin Putin, sipas të gjitha gjasave në Rejkjavik të Islandës – një përsëritje kjo e takimit të famshëm të Ronald Reganit me Mikael Gobrachovin, liderin e fundit sovjetik.

Nuk e besoj që harta e botës do të vizatohet në atë samit, por besoj që harta e botës do të diskutohet në atë samit, i cili pritet të mbahet në 30 ditët e ardhshme. Serbia i ka përpara vetës po kaq ditë për të bërë ndonjë ndryshim të gjendjes ekzistuese. Do të bëjë çdo gjë që është në fuqinë e saj për ta hapur temën e Kosovës, qoftë edhe duke nxitur gjakderdhje.

Qeveria e Kosovës, institucionet tona, gjatë kësaj kohe, duhet të mbrojnë interesat e shtetit në mënyrën më të kujdesshme të mundshme. Banorët serbë të Kosovës duhet të konsiderohen pasuri kombëtare. Çdo përndjekje e tyre, çdo hakmarrje ndaj tyre, do të ishte fitore e madhe e Serbisë.

Drama assesi nuk guxon të bartet brenda kufijve të Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme