Andi Bushati: Rama bëri atë që deri më sot se ka bërë dot as Pekini, as Moska

Nga Andi Bushati

Dyshimet se regjimi i Tiranës ka arritur të korruptojë zyrtarin më të lartë në historinë e FBI-së, që hetohet për këtë krim, e ka vënë në një vështirësi të dukshme Edi Ramën. Ai po akuzohet se ka arritur të bëjë atë për të cilën nuk i’a kanë dalë deri më tani, as Pekini dhe Moska, duke thyer rekordin e blerjes me para të pista të shefit të kundërzbulimit të njërës prej agjensive më prestigjoze në glob.

Fillimisht, në një status të varfër në Twitter, Rama shpalli se kishte vendosur të mos merrej me budallenjtë që i hidhnin këto gurë në lumë, duke paralajmëruar se nuk do prononcohej më për këtë temë. Të njëjtën gjë bënë edhe kamikazët e tij mediatikë duke u zhdukur si me komandë nga debatet e mbrëmjes që trajtonin çështjen e Charles McGonigal.

Por, kjo strategji, nuk zgjati dot as 24 orë. Miza që i digjte e bëri kryeministrin të japë shpjegime të tjera, për mikun e tij të arrestuar në Amerikë. Ai prtetendoi se as vetë personalisht, as qeveria e Shqipërisë nuk kishte lidhje me akuzat që rëndonin mbi zyrtarin e arrestuar. Se, McGonigali, 225 mijë dollarët i kishte marrë si borxhe private. Se ai vetë, i njihte dy ndërmjetësit që kishin “financuar” zyrtarin e FBI-së, por ama, ata nuk kishin punuar për llogari të tij.

Lapsi.al i është drejtuar me një email zyrtar pytejesh edhe Ambasadës amerikane në Tiranë, edhe Departamentit të Drejtësisë në SHBA, për të mësuar mbi axhendën e ish- zyrtarit të lartë të FBI-së në Tiranë, nëse ai është shoqëruar nga diplomatë në këto biseda me kryeministrin apo ato kanë qenë takime private me qëllime të tjera. Pasi pyetja më e rëndësishme është se për ç’arsye kryeministri i Shqipërisë duhet ta takonte një zyrtar të lartë të FBI-së në praninë e personave privatë, që i kishin dhënë para apo paguar udhëtimet këtij të fundit?

Por edhe me kaq informacione sa mund të lexohen në përshkrimin e detajuar të aktakuzës kundër Charles McGonigal, del e qartë, se ndryshe nga ç’pretendon kryeministri shqiptar, ai është i dyshuari kryesor për korruptimin e këtij zyrtari.

Pika më e fortë për këtë gjendet në atë paragraf të aktakuzës kundër Charles McGonigal ku dëshmohet se ai u angazhua për të investiguar në dëm të një partie të opozitës. Nuk ka asnjë dyshim se bëhet fjalë për hetimin e çështjes se pagesave që Lulzim Basha i bëri lobistit Nik Muzin. Edhe datat edhe interesi për çështjen përkojnë me periudhën kur shpërtheu ky skandal.

Pra ka një pyetje që qartëson gjithçka: çfarë leverdie do kishte një person privat si Agron Neza ti jepte 225 mijë USD Charles McGonigalit, për të hetuar kundër PD-së? Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se njeriu i interesuar të dëmtonte rivalin e tij politik, qe një dhe vetëm një: Edi Rama. Partia e tij e përdori më pas këtë çështje për të anatemuar partë ruse të Bashës dhe për të denoncuar deputetët e rublave.

Pra nuk ka dyshim se Charles McGonigal është korruptuar nga regjimi i Tiranës, për ti shërbyer luftës së brendshme politike në Shqipëri. Ky version përforcohet edhe më tej në aktakuzë ku theksohet fjalë për fjalë, se në 22 janar 2018, Agron Neza, i dha zyrtarit të FBI-së informacione që i kishte marrë drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit. Pra njeriu që e kishte paguar me dollarë cash McGonigalin, po e furnizonte atë edhe me me informacionet që kabineti i Edi Ramës prodhonte kundër PD-së.

A mund të ketë më dyshime pas kësaj? Natyrisht që jo. Ish zyrtari tashmë i arrestuar i FBI-së, nuk ka marrë para, as për biznes, as për interesa personale, ai është paguar si lobist politik i pushtetit.

Këtë e dëshmojnë edhe fakte të tjera në aktakuzë. Kështu, ai që në dokument rezulton si dëshmitari B, por që tashmë është njohur si këshilltari informal i kryeministrit, Dorian Duçka, i ka paguar shpenzimet dhe udhëtimet zyrtarit të FBI-së. Po pse një njeri i afërt me Ramën, të cilin ai e ka pajisur me pashaportë diplomatike, të cilit i ka lënë të drejtën e përdorimit të një adrese emaili të kryeministrisë, u dashkërka të financoka Charles McGonigal? Natyrisht për realizimin e objektivave që i ka caktuar për të realizuar shefi.

Për të gjitha këto, jo më kot, kryeministri i Shqipërisë përmendet plot 14 herë në aktakuzë. Jo më kot ai ka bërë plot 4 takime me McGonigal, jo me tagrin e postit që ai mbane në FBI, por për ta përdorur këtë pozicion për interesa okulte lobimi.

E gjithë vija logjike e kësaj marëdhëieje të çon në një pikë: se Edi Rama është në origjinë të korruptimit të zyrtarit më të lartë të FBI-së të akuzuar ndonjëherë për këtë krim. Me anë të njerëzve të tij ai dyshohet se e pagoi atë për ta përdorur në luftën e brendëshme politike të Tiranës, për të goditur opozitën dhe përforcuar pozitat e pushtetit të vet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme