Një i bashkëpandehur, por tash në cilësinë e dëshmitarit, anesteziologu i klinikës famëkeqe “Medicus”, tregoi sot për operacionet ku u hoqën veshkat. Sylejman Dulla rrëfeu para gjykatës edhe për mjekun turk Yusuf Sonmez, të njohur si “Dr. Vampiri”, i cili kishte kryer operacione të heqjes dhe transplantit të veshkave në këtë klinikë.
Një ish-i akuzuar për po këtë rast, anesteziologu Sylejman Dulla, foli të mërkurën para trupit gjykues të EULEX për klinikën “Medicus”, në të cilën dyshohet se u kryen transplante ilegale të veshkave.
Dulla, i shpallur i pafajshëm për këtë rast, u thirr në cilësinë e dëshmitarit për të treguar punën e tij, takimet me mjekët që kanë kryer operacionet, por edhe për përvojat e tij gjatë operacioneve të heqjes së veshkave, ku ishte vetë i pranishëm.
Mjeku i dënuar, Lutfi Dervishi, i cili ishte pronar i Klinikës “Medicus”, në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini, si anesteziolog, për lëndim të rëndë trupor.
Gazeta Express ka përcjellë gjykimin e së mërkurës, ku dha dëshminë e tij anesteziologu Sylejman Dulla, dikur i ulur në bankën e të akuzuarve, por i shpallur i pafajshëm nga shkalla e dytë.
Që nga viti 2002 deri në vitin 2008, Dulla ka punuar në klinikën “Medicus”, i punësuar nga anesteziologu i akuzuar Sokol Hajdini.
“Kam punuar me raste, kur kanë pasur nevojë për mua më kanë thirr. Ashtu edhe jam paguar, me raste”, dëshmoi sot para gjykatës Dulla, duke njoftuar se pagesa në kohën sa ka punuar në klinikë i është bërë në fund të ditës, në vlerë prej 30 deri në 50 euro.
Ai tregoi se në “Medicus” kanë punuar tre anesteziologë, edhe pse gjatë tërë dhënies së dëshmisë së tij tha se ka punuar si asistent i dr. Hajdinit. Ai tha se anesteziologu tjetër që ka punuar aty, në po atë periudhë, ishte edhe Islam Bytyqi, dëshminë e të cilit Express e ka publikuar javë me parë.
“Detyrat e mia si ndihmës anesteziologu kanë qenë me i përgatitë barnat për pacientët, t’i monitoroj pacientët, dhe t’i shënoj parametrat në listën e anesteziologëve”, tha Sylejman Dulla.
Ai gjithashtu tha se para secilit operacion ishte Sokol Hajdini ai që e ka informuar për natyrën e operacionit.
Dëshmitari gjithashtu foli edhe për mjekun turk, Yusuf Sonmez, i cili njihet ndërkombëtarisht si “Dr. Vampiri”.
“Me Yusufin nuk më kujtohet saktë kur jam takuar, por atë e di që e takova para se të mbyllej klinika në vitin 2008. Me sa e di, ka qenë nga Turqia”, tha dëshmitari.
Anesteziologu gjithashtu tha se kishte marrë pjesë në operacionet që i ka kryer Yusuf Sonmez në klinikën “Medicus”.
“Unë kam asistuar në operacionet që i ka kryer Yusuf, të cilat janë bërë në katin e parë të ndërtesës. Nuk e di a do të jem i saktë, por ndoshta në 5-6 operacione po”, tha dëshmitari.
Dulla, tregoi se me Sonmezin në operacione, kanë marrë pjesë edhe mjekët, Kenan Demirkoll dhe Driton Jilta. Dëshminë e këtij të fundit, Gazeta Express e ka publikuar javë më parë.
Dëshmitari i sotëm tha se asnjëherë nuk kishte parë duke u bërë transplant i veshkës të ndonjë pacient, por kishte parë që u është hequr veshka. Për një operacion të tillë, për heqjen e veshkës, foli edhe sot në Gjykatë, dhe tregoi se si dukej pacienti.
Është fjala për pacientin e fundit që bëri heqjen e veshkës, 35-vjeçarin Yilmaz Altun. Ky i fundit ia kishte dhënë veshkën shtetasit izraelit, Bezalel Shafran, gjithashtu pacienti i fundit që kishte bërë transplant të veshkës në “Medicus”, para se klinika të mbyllej. Gazeta Express ka publikuar dëshmitë e të dy pacientëve, të cilët patën treguar në detaje për takimet me mjekët dhe për operacionet e kryera.
I pyetur nga prokurorja e rastit, Valeria Bolici, se a ka qenë në dijeni dëshmitari se në klinikën ku ka punuar janë larguar organet nga një pacient e janë vendosur në pacientin tjetër, ai u përgjigj se asnjëherë nuk kishte dëgjuar të ketë ndodhur një gjë e tillë në “Medicus”.
Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.
Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet./GazetaExpress/