Anëtari i AAK-së nënshkruan peticionin për zgjedhje të VV-së!

Ish pjesëtari i PDK-së, tani pjesë e AAK-së, Naim Bazaj, ka nënshkruar peticionin e Lëvizjes Vetëvendosje ku kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të reja. Kjo është parë në disa fotografi në njoftimin e kësaj të fundit në faqen zyrtare në Facebook. Kjo ka ndodhur me rastin e vizitës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti në Drenas.

Në një prononcim për “Zërin”, ndërsa mohon zërat të ketë kaluar në Vetëvendosje, Bazaj thotë se një ndër arsyet që e ka nënshkruar peticionin janë shkarkimet e bordeve nga Kurti.

“Unë nuk kam kaluar në Vetëvendosje, sepse ka disa zëra që thonë se kanë kaluar. Por e kam mendimin tim dhe jam për me shku në zgjedhje të reja. Po mendoj që këto partitë të cilat kanë qenë në pushtet deri tash i kanë pas ofruar disa familjarë të vet në pozita kyçe si përshembull nëpër borde. Dhe me veprimet të cilat i ka marrë qeveria Kurti, duke i shkarkuar ata, për këtë kam mendu pse mos me u bo zgjedhjet. E mira e t’mirës është të shkojmë në zgjedhje të reja, le ta provojë secili fatin, secila parti”, ka deklaruar Balaj për mediat.

Ndërsa në fund ai thotë se do t’i shërbejë secilit që sipas tij punon mirë.

“Nuk është me rëndësi as garojë unë apo jo. Me rëndësi është që të jenë njerëz të pakorruptuar. Për qëllime dhe punë të mira jam i gatshëm të ja bëjë argatin gjithsecilit”, përfundon deklarata e tij.

Deri më tash janë mbledhur 236 mijë nënshkrime të qytetarëve, ka bërë të ditur ish-zëvendëskryeministri në Qeverinë Kurti, Haki Abazi.

Kushtetuesja i dha të drejtën dekretit të presidentit Hashim Thaçi për emrin e mandatarit, gjë të cilën Vetëvendosje e quan vjedhje e vullnetit demokratik të qytetarëve, pasi konsideron se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“I kujt është ky shtet? -nëse nuk është i qytetarëve, në emër të kujt flet qeveria ilegale e pas-mesnatës dhe njeriut që ka vendim të prerë- dënim nga gjykata, kjo qeveri e Thaçit është për të financuar ndarjen dhe për të mbuluar sistemin e krimit dhe korrupsionin, favoret për pseudo- gazetarët e portalet e yellow press dhe kontratat e lobimit. 236 mijë nënshkrime dhe vazhdojmë, nuk durojnë gënjeshtrat e propagandat e Thaçit e as Mustafës e as mashat e tyre që vërshojnë mediat sociale me lajme të rrejshme e shantazhe e propagandë. 236 mijë dhe vazhdojmë bashkë sepse jemi shumë e të pandalshëm, shkruan ndër tjera Abazi në Facebook.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme