Pasojat tragjike të tërmeteve të rëna në Turqi më 6 shkurt kanë zgjuar ndjenjën e solidaritetit ngado, në njerëz të thjeshtë, në organizata joqeveritare, në institucione shtetërore dhe qeveri.
Ndjenja e tilla e solidaritetit e ka përfshirë dhe Fondacionin ALSAR që në momentet e para të tragjedisë së përmasave apokaliptike, vënë në lëvizje për të kontribuar me ç’është e mundur në ndihmë të popullit mik e vëlla turk.
Organizime takimesh, mbledhje fondesh, ndihmash, dhe bashkërendime veprimtarish humanitare me ente partnere, me një objektiv të vetëm, “Në ndihmë të vëllezërve tanë në Turqi”, janë sot përditshmëria e Fondacionit ALSAR.
Në kuadër të mbledhjes së kontributeve monetare, një shumë prej 5.000 eurosh i është dërguar tashmë AFAD-it, Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave në Turqi.
Një kuzhinë lëvizëse dhe një grup punonjësish të fondacionit janë nisur dhe pritet të mbërrijnë në Kahramanmarash për të dhënë si ndihmë në terren ushqim të ngrohtë për të dëmtuarit nga tërmetet. Kuzhina lëvizëse do të qëndrojë atje për tre muaj, duke shpërndarë 15.000 racione ushqim në ditë, nga 5.000 racione për çdo vakt, në mëngjes, drekë dhe mbrëmje. Me një shumë bashkëshoqëruese prej 9.000 eurosh me këtë ndihmë do të blihen dhe artikuj të nevojshëm për banorët në zonë, në kushtet e emergjencës së plotë. Aktiviteti në terren i ALSAR-it koordinohet me WEFA-n, organizatën e ndihmave me qendër në Këln të Gjermanisë, dhe të dy entet e bashkërendojnë punën me AFAD-in.
Në të njëjtin kohë, po punohet për mbledhje dhe përgatitje artikujsh bazë për popullatën, batanije, dyshekë dhe veshmbathje, mes të tjerash, për t’u dërguar shumë shpejt me dy kamionë në zonat e goditura, ku çdo ndihmë është e mirëpritur.
Ky solidaritet dhe kjo veprimtari e ethshme për mbledhjen dhe dërgimin e ndihmave nuk merr fund në pak ditë. Angazhimi solidarizues dhe humanitar i Fondacionit ALSAR në ndihmë të vëllezërve në Turqi do të vijojë, me mundësitë dhe kapacitetet në dispozicion, për aq sa të jetë e nevojshme.