Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është duke i shqyrtuar ankesat e parashtruara nga subjektet politike dhe kandidati i pavarur në procesin zgjedhor të rrethit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave më Kosovë, që u zhvilluan më 19 nëntor.
Mul Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se afati për marrjen e vendimeve lidhur me ankesat e parashtruar, përfundon të dielën.
“Paneli prej dje i ka 72 orë për t’i vendosur të gjitha ankesat dhe i njofton palët me vendime. PZAP prej dje ka filluar të shqyrtojë ankesat, dhe brenda afatit kohor do të ju jep përgjigje palëve”, thotë Desku.
Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tani më janë dorëzuar gjithsej shtatë ankesa që kanë të bëjnë me balotazhin, pas publikimit të rezultateve përfundimtare që i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka paraqitur tri ankesa, një për Dragash, një për Kamenicë dhe një për Prishtinë. Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur tri ankesa gjithashtu, një për Rahovec, një për Klinë dhe një për Prizren.
Një kandidat i pavarur nga Komuna e Shtimes, Fatmir Rashiti, ka paraqitur një ankesë lidhur me pretendimet që ai mendon se ka pasur parregullsi në balotazh.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka certifikuar vetëm rezultatet përfundimtare për 37 nga 38 kuvendet komunale të dala nga zgjedhjet lokale më 22 tetor.
Derisa, ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 17 komunave dhe rivotimit për kryetar të Komunës së Parteshit.
Procesi i zgjedhjeve lokale në Kosovë vazhdon të mbetet i hapur deri në përmbylljen e të gjitha ankesave dhe vendime që dalin nga PZAP dhe Gjykata Supreme.
Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk mund të dihet një afat i saktë i përmbylljes së këtij procesi, pa u bërë të ditura vendimet që mund të merren nga gjyqësori.
“Në rast se kontestohen prapë vendimet e PZAP-së që duhet të kalojnë 24 orë, dhe pastaj 72 orë tjera për vendim nga Gjykata Supreme dhe nëse të njëjtat ka një kontestim nga Gjykata Kushtetuese mund të ndodh deri në javën e ardhshme të mos ketë certifikim të rezultateve, dhe kjo është në rastin më të mirë nëse hidhen poshtë ankesat dhe nuk kërkohet nga Gjykata Supreme një rinumërim apo rivotim qoftë i plotë apo i pjesshëm në komuna të caktuara”, thotë Krasniqi.
Ndryshe, subjektet politike kanë thënë se do t’i përdorin të gjitha mjetet ligjore për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve në disa komuna. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë, si dhe nuk pajtohet për rivotimnë Komunën e Istogut, përderisa Partia Demokratike e Kosovës nuk pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve në Prizren.