Një anketë e re e opinionit publik, e zhvilluar së fundmi në Kosovë, ka treguar preferencat politike të qytetarëve të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas rezultatit të anketës së zhvilluar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), është partia më e mbështetur në vend, teksa 21.2 për qind e të anketuarve kanë thënë se subjekti politik, i udhëhequr nga Isa Mustafa, ka programin dhe politikat më cilësore për ta drejtuar vendin.
Menjëherë pas LDK’së pozicionohet Lëvizja Vetëvendosje, mbështetje për të cilën kanë deklaruar 19.7 për qind e qytetarëve të anketuar.
Partia Demokratike e Kosovës ka zënë vendin e tretë, me 16.1 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që drejtohet nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, pozicionohet e katërta, me 12.1 për qind.
Mbështetje të vogël mes qytetarëve gëzojnë partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, ajo e Shpend Ahmetit, Partia Socialdemokrate, si dhe ajo e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re.
Nismën e kanë vlerësuar 5.2 për qind e qytetarëve të anketuar, ndërkaq PSD’në vetëm 2.2 për qind. AKR’në e kanë mbështetur vetëm 1.6 për qind e të pyeturve në anketë.