Instituti Republikan Amerikan ka publikuar rezultatet e anketës së fundit që ka realizuar në muajin gusht. Sipas kësaj ankete, parti e parë është Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) me 19 për qind, kurse VMRO-DPMNE tani është e dyta me 18 për qind rejting.
Tek partitë shqiptare BDI mbetet e para por tani me vetëm 7 për qind, kurse Aleanca për Shqiptarët për herë të parë rangohet para Lëvizjes Besa me 5 për qind rejting. Sipas anketës së IRI-t, Lëvizja Besa tani ka përkrahje 4 për qind, kurse PDSH 2 për qind. Këto janë rezultatet sa i përket pyetjes se Kandidatin e cilës parti do ta votoni për kryetar komune?, shkruan Gazeta Lajm.
Përafërsisht të njëjta janë edhe rezultatet në pyetjen se Cilën parti do ta votoni te lista e kandidatëve për këshilltarë komunalë? Në këtë kategori LSDM me 19 për qind është për dy për qind para VMRO-DPMNE-së. Te partitë shqiptare në këtë kategori udhëheq BDI me 8 për qind, Aleanca sërish është e dyta me 5 për qind, Lëvizja Besa e treta me 4 për qind, kurse PDSH ka 1 për qind.