Gjykata e Apelit të Tiranës nuk e ka zhvilluar sot seancën për Nevaldo Hajdarajn, ish-efektivin e Policisë së Shtetit, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës. Trupa gjykuese ishte tërhequr për vendim e sot kur doli në seancë për të shpallur vendimin final, tha se ka ndodhur një anomali në procesin gjyqësor.
Sot pritej të shpallej vendimi për Rashën, i cili akuzohet se e vrau me dashje 25-vjecarin vitin e kaluar. Klodian Rasha kishte thyer orën policore dhe nuk iu bind urdhrit të efektivëve për të ndaluar, e ai u qëllua pas shpine nga Nevaldo Hajdaraj.
Më 8 mars u dëgjuan konkluzionet e Prokurorisë, konkretisht prokurores Arta Marku dhe avokatëve të të pandehurit. Këta të fundit kanë kërkuar rikualifikim të veprës penale duke pretenduar se klienti i tyre nuk ka kryer vrasje me dashje por ka qenë në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes.
Kur trupa gjykuese ka konstatuar se seanca e zhvilluar me 8 mars nuk është regjistruar audio, për këtë arsye procesverbali i kësaj seance është i pavlefshëm. Kryesuesja e trupës gjyqësore Edlira Pjetri iu drejtua IT së gjykatës dhe këshillit të gjykatës për të kërkuar shpjegime dhe e ka konsideruar të pavlefshëm procesverbalin.
Sot në orën 13:00 do të ftohen palët prokurorja dhe avokatët për të ripërsëritur qëndrimin de tyre e pasi të ridëgjohen pretendimet gjykata do tërhiqet për vendim. Nga Gjykata e Shkallës së Parë, Nedvaldo Hajdaraj është dënuar me 15 vite burgim e nga gjykimi i shkurtuar i është reduktuar në 10 vite dënimi.





