Gazetar: Mefail Ismaili
Komisioni Antikorrupsion nuk mund t’i hetojë kandidatët që sapo mbaruan Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë pasi kjo tashmë është punë e kryer dhe sistemi është i mbyllur thotë numri “një” i Komisionit Biljana Ivanovska. Megjithatë ajo i bën thirrje Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve Publik duhet t’i forcojnë mbikëqyrjet dhe kontrollet e tyre për të vlerësuar punën e këtyre prokurorëve dhe gjykatësve që janë të afërm të funksionarëve. Kreu i antikorrupsionit thotë se kjo do të ndikojë që dyshimi i qytetarëve tek gjyqësori të vazhdojë të rritet, andaj apelon që politika t’i tërheqë duart nga profesionalizmi.
“Është për të ardhur keq se në kushte kur kemi ndikim të madh politik si rrezik i lartë i korrupsionit në punësimin përmes sistemeve të njohura për nepotizëm, hronizëm, klientelizëm, përmes pazareve politike të strukturës së lartë udhëheqëse, në kushte të këtilla dyshimet tek qytetarët dhe ndjenja është tepër e lartë, ndërsa nga ana tjetër kemi sistem në shtet i cili nuk është mjaftueshëm rezistent ndaj korrupsionit dhe normal që njerëzit do të reagojnë”, deklaroi Biljana Ivanovska, Komisioni për Anti Korrupsion.
Ivanovska thotë se çështje kyçe për luftën e korrupsionit në vend është edhe miratimi i Ligjit për prejardhjen e pronës, me të cilin do të përfshihen të gjithë qytetarët. Ndërsa Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci thotë se lufta kundër korrupsionit mund të ketë efekt vetëm nëse rritet presioni i qytetarëve, mediave dhe faktorit ndërkombëtar.
“Nën presion të caktuar dhe nën kontroll të brendshëm të forcuar mund të zhvillohen mekanizma të brendshëm që do të pengojnë konflikt të interesave dhe largimin e personave të afërm në hetimet ndaj politikanëve”, tha Misha Popoviq, Instituti për Demokraci.
Një e pesta e kandidatëve të cilët e përfunduan Akademinë për gjykatës dhe prokuror publik janë familjar të funksionarëve aktual.
Ndër to është edhe djali i kryetarit të Kuvendit, Talat Xahferi si dhe nusja e sekretares së Kuvendit, Cvetanka Ivanova. /Alsat.mk