Antologjia e Shqipërisë që i ndanë shqiptarët – midis turpit e heshtjes

Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga Kosova, sapo është përuruar ajo që është pagëzuar si antologji e poezisë moderne shqipe me autor Rudolf Markun, ku nuk bën pjesë asnjë poet modern jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Antologji të “Shqipërisë xhuxhe” e ka cilësuar kryeakademiku i Kosovës, Mehmet Kraja, e shkrimtari Ag Apolloni e ka cilësuar turp. Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit që e ka mbështetur antologjinë, reagimet i lexon ndryshe, përderisa KOHA, prej së dielës ka pritur përgjigjet e autorit

Nuk është dashur shumë kohë që një antologji – së cilës sqarimet e ballinës nuk i përputhen me përmbajtje – të çojë jo pak pluhur. “Veshun me diell, mbathun me hanë”, botim i mbështetur edhe nga institucionet shtetërore të Shqipërisë, të paktën në versionin siç është botuar, i ka dhënë fund një debati të vjetër: atij se a është letërsia shqipe një e vetme apo ka dy të tilla. Sipas kësaj antologjie të autorit Rudolf Marku me nëntitull “Antologji e poezisë moderne shqipe”, në letërsinë shqipe hyjnë veç autorët e Shqipërisë.

Poeti Marku me veprën e botuar nga shtëpia botuese “MediaPrint” dhe përkrahur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka përjashtuar nga antologjia krijuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Vargjet e vetme të autorëve jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë janë të poezisë “Sibila Libica” e Pjetër Bogdanit. Krejt kjo ka ngjalluar reagime të menjëhershme. Madje edhe nga drejtues të institucioneve shkencore. Për botimin kanë reaguar krijues letrarë, duke konsideruar se kriter i vetëm në hartimin e kësaj antologjie është marrë kufiri gjeografik i shtetit shqiptar. Është vlerësuar se nuk mund të ketë antologji të poezisë shqipe pa Ali Podrimjen, Azem Shkrelin e poetë tjerë të shquar.

Shkrimtari, publicisti e përkthyesi Rudolf Marku, pos Bogdanit, në veprën që sipas tij ka “59 autorët më të mirë të letërsisë sonë”, nuk ka përfshirë asnjë tjetër jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme.

 

Me telashe këtë antologji e ka parë edhe autori i parathënies së këtij botimi, Gëzim Basha. E drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit, Alda Bardhyli, në një përgjigje për KOHËN, ka përmendur se janë “më shumë se 378 antologji të botuara përgjatë këtyre viteve në Shqipëri, nëse u referohemi statistikave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.

Antologjia “Veshun me diell, mbathun me hanë” është përuruar të enjten e kaluar në Muzeun Kombëtar në Tiranë në ngjarjen e organizuar prej Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe shtëpisë botuese “MediaPrint”. Menjëherë kanë nisur reagimet. Prej të dielës së kaluar, KOHA ka pritur përgjigje nga autori.

“Është vështirë të besosh se një antologji e këtillë pa Kosovën (domethënë pa Ali Podrimjen, Azem Shkrelin etj.) u promovua nga institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe mori një miratim të gjerë të shkrimtarëve të Shqipërisë. Mbeta i zhgënjyer dhe i mpirë nga mungesa qoftë edhe e një reagimi të vetëm!”, shkruhet në reagimin e akademikut Kraja në Facebook. Ai ka kërkuar të hiqet nga botimi edhe Bogdani me arsyen se “ka lindur në Gjonaj të Prizrenit dhe ka vdekur në Prishtinë!”.

E shkrimtari e profesori i letërsisë Ag Apolloni ka ironizuar me autorin e antologjisë për të cilin ka shkruar se “ka bërë një punë të kujdesshme”. “Është kujdesur që të mos e fusë aty asnjë poet nga Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi”, ka shkruar Apolloni. Ka shkuar edhe më tej. “Kjo s’është: – as antologji – as e poezisë shqipe – as moderne. Kjo është marre!”, ka vlerësuar Apolloni në reagimin e tij me shkrim.

Autorin e antologjisë “Veshun me diell, mbathun me hanë – antologji e poezisë moderne shqipe”, Apolloni e ka kundërshtuar edhe për përzgjedhjet dhe klasifikimet që ka bërë.

“Turp për ata që e kanë promovuar dhe e kanë financuar një antologji të tillë! Vetëm një idiot mund t’i përfshijë Budin e Bogdanin, De Radën e Naimin, te poezia moderne; vetëm një antishqiptar mund ta përjashtojë Azem Shkrelin nga poezia shqipe; vetëm një narcisist mund ta fusë veten në antologjinë që e përpilon vetë, pasi i ka kositë më të mirët”, ka qenë reagimi i shkrimtarit Apolloni.

Shkrimtari e përkthyesi Ahmet Selmani nga Shkupi ka ngritur pikëpyetje nëse mund të quhet antologji e gjuhës shqipe kur aty mungon poezia e Azem Shkrelit, Teki Dervishit e krijuesve të tjerë.

“Si titull i saj janë vendosur vargjet emblematike të Pjetër Bogdanit ‘Veshun me diell mbathun me hanë’. Duke i parë emrat e poetëve të përfshirë, m’u kujtua poeti Ali Podrimja (që nuk është përfshirë aty), i cili në poezinë e tij ‘Etyd për Shqipërinë’, thotë: Xhuxhe je/ Xhuxhe je moj/ Pa mua”, ka shkruar Selmani.

Në lidhje me botimin e antologjisë ka reaguar edhe Grigor Jovani, poet nga Shqipëria, sipas të cilit kjo nuk është hera e parë që Marku bën ndasi të tilla apo përjashton personat adekuatë. Ka kujtuar organizimin e një paneli të drejtuar prej Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë me titull “Shtypi shqiptar i diasporës”.

“Të gjithë të ftuarit dhe drejtuesit e këtij paneli nuk kishin të bënin me shtypin shqiptar të diasporës. Vetë Marku ishte atje, si i kamarosuri i nderit (laureat, domethënë), sepse… mendonte të bënte një gazetë në emigracion. Të gjithë ne të tjerët, që me gjakun tonë dhe kursimet familjare nxirrnim dhe drejtonim prej vitesh organe shqiptare shtypi në emigracion, nuk ishim atje, thjesht se nuk ishim ftuar, pasi nuk ishim… ‘laureatë’”, ka shkruar Jovani, duke shtuar se është i lumtur që nuk është pjesë e antologjisë.

KOHA ka komunikuar me Rudolf Markun dhe ka kërkuar disa përgjigje. Por ai ka kërkuar pesë ditë kohë me arsyetimin se është në një udhëtim. Deri të mërkurën janë bërë tri ditë.

Ani pse me nëntitull “Antologji e poezisë moderne shqipe”, lista me 59 autorë përfshin edhe ata që u përkasin periudhës së rilindjes, romantizmit e realizmit socialist. Me rastin e promovimit të antologjisë, autori i saj Rudolf Marku ishte shprehur optimist se ka arritur të përfshijë më të mirën prej autorëve.

“Problemi im nuk ka qenë thjesht të sjell emra, por të sjell atë që ka më të mirë një autor dhe unë besoj që ia kam arritur”, kishte thënë ai para të pranishmëve gjatë promovimit të antologjisë.

Në “Veshun me diell, mbathun me hanë” midis të tjerësh përfshihen edhe veprat e Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Jernonim de Radës, Zef Serembes, Naim Frashërit, Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës deri te Moikom Zeqo e Roland Gjozo.

Emri i Rudolf Markut është gjithashtu në listën e autorëve. Marku ishte shpallur “Poeti Laureat i Shqipërisë” më 20 tetor të 2020-s nga QKLL-ja në një ceremoni të organizuar prej Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Ky nderim që i ishte bërë po ashtu përfshinte që ai të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe deri në tetor të vitit të kaluar.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së – institucion i themeluar me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më 16 janar të vitit 2019, ka thënë se koncepti dhe realizimi i antologjisë ka qenë zgjedhje e lirë e autorit dhe se Qendra nuk ka marrë pjesë në konceptimin e saj, por e ka mbështetur atë në kuadër të mandatit të Markut si laureat. Reagimet për botimin e kësaj antologjie i ka konsideruar si nevojë për të punuar në një antologji më gjithëpërfshirëse dhe si përgjegjësi të madhe për një autor të vetëm.

“Përzgjedhja duhet bërë nga një bord ekspertësh, poetësh që e njohin mirë cilësinë e poezisë e zonave shqipfolëse matanë kufirit. Dhe në një etapë të dytë do formuar koncepti ndërlidhës i seleksionimit. Besoj se koncepti i evoluimit gjuhësor poetik të shqipes mund të jetë një nyje, por mund të gjendet e ndonjë formë tjetër”, ka thënë ajo. Sipas Bardhylit, është një punë e bukur dhe e vështirë, për të cilën shpreson të bëhen bashkë me autoritetet në Kosovë për të kontribuuar në një antologji gjithëpërfshirëse të denjë për poezinë shqipe. Sipas saj, krijimi i një antologjie shqipe të tillë është akt antropologjik që ndërlidh krijimtarinë me historinë dhe që nuk ka pse të shihet si ndarje.

“Nuk ka pse të shihet ky botim si një ndarje. Shqipja dhe krijimet e saj janë drejt një procesi riintegrimi në vetvete dhe ndaj territoreve. Le ta shohim në një tjetër aspekt, në atë që kjo antologji përmblodhi shumë autorë të eliminuar nga komunizmi”, ka thënë Bardhyli.

Rudolf Marku është një krijues i njohur shqiptar. I lindur në Lezhë, ai kishte diplomuar në Universitetin e Tiranës e më pas kishte punuar si redaktor në gazetën letrare “Drita”, për t’u emëruar atashe i kulturës në Ambasadën e Shqipërisë në Londër.

Vëllimi i tij i parë poetik “Shokët e mi” i vitit 1974 ishte kritikuar nga shtypi si libër me gabime ideologjike dhe u tërhoq nga botimi, duke u konsideruar si vepër e ndaluar. Atë kohë ishte botuar një shkrim kritik kundër tij me titull “Në 8 vargje poetike, 8 gabime ideologjike!”. Sistemi komunist kishte përjashtuar nga letërsia veprën e tij. E Marku gati katër dekada më pas, e tre dekada pas rënies së komunizmit, në atë që e ka përmbledhur si “Antologji e poezisë moderne shqipe” ka përjashtuar disa prej poetëve më të mirë shqiptarë, veç pse nuk i takojnë Shqipërisë si shtet.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme