Antropologu izraelit Jeff Halper, kryetar i Komitetit Izraelit Kundër Shkatërrimeve të Shtëpive (ICAHD), tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij nuk mendojnë për të burgosurit izraelitë siç pretendojnë me rifillimin e sulmeve në Gaza, duke shtuar se po të shqetësohej për pengjet, Izraeli do të kalonte në fazën e dytë të armëpushimit.
Izraeli shkeli marrëveshjen e armëpushimit më 18 mars dhe rifilloi sulmet e tij të dhunshme në Rripin e Gazës. Me këto sulme, numri i të vdekurve në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në mbi 50 mijë dhe numri i të plagosurve në mbi 113 mijë.
Sulmet filluan nën hijen e hapave të diskutueshëm politikë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, si shkarkimi i drejtorit të agjencisë së inteligjencës së brendshme Shin-Bet.
– “Netanyahu thjesht dëshiron të qëndrojë në pushtet”
Duke folur për Anadolu në lidhje me rifillimin e sulmeve izraelite në Gaza, antropologu Halper vuri në dukje se rinisja e dhunës në enklavën palestineze ka të bëjë me Netanyahun dhe qeverinë e tij të koalicionit, duke përmendur “fuqinë” e ministrit e ekstremit të djathtë të Financave Bezalel Smotrich dhe liderit të Partisë “Fuqia Hebraike” Itamar Ben-Gvir në qeveri dhe duke theksuar se Netanyahu është gati ta shkatërrojë Gazën në mënyrë që t’i mbajë ata në qeveri apo që të mbetet në pushtet.
Halper tha se i gjithë populli izraelit e di se cilat janë qëllimet e Netanyahut dhe se familjet e të burgosurve izraelitë në Gaza në veçanti janë duke reaguar jashtëzakonisht shumë.
“Ai (Netanyahu) thjesht dëshiron të qëndrojë në pushtet”, tha Halper, ndërsa rikujtoi se presidenti amerikan Donald Trump ka thënë që “nëse të gjithë të burgosurit nuk lirohen, portat e ferrit do të hapen për Hamasin”.
Halper thotë se në fakt, tashmë të burgosurit izraelitë në Gaza do të liroheshin me kalimin në fazën e dytë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti, por zhvillimi i fundit i ka devijuar gjërat nga drejtimi i tyre.
Ai theksoi se teza e Izraelit që një presion më i madh ushtarak do të çonte në lirimin e të burgosurve nuk është e vërtetë, pasi, sipas tij, se kjo tashmë ka shkaktuar vdekjen e të burgosurve izraelitë dhe i njëjti rezultat do të ndodhte përsëri.
Duke folur mbi atë nëse Netanyahu kujdeset vërtet për të burgosurit, Halper thotë: “Atij nuk i intereson fare. Nëse do të donte të lironte të gjithë të burgosurit, faza e dytë e marrëveshjes do të vazhdonte dhe të burgosurit do të ktheheshin. Por ai nuk dëshiron t’i japë fund luftës. Sepse nëse i jep fund luftës, do të humbasë mbështetjen e partive të djathta. Pyetja është kjo: ‘Të shpëtojmë të burgosurit, apo koalicionin qeveritar?’. Përgjigja është shumë e qartë për Netanyahun: ‘Të shpëtojmë qeverinë’. Sado që të thotë se qëllimi i tij është t’i shpëtojë të burgosurit, në fakt ai po i dënon ata me vdekje”.
– “Palestinezët kanë mbetur plotësisht të pambrojtur”
Halper më tej thotë se askush nuk kujdeset për situatën e palestinezëve që u nënshtrohen sulmeve të dhunshme izraelite. “Izraelitëve nuk u intereson. As Netanyahut nuk i intereson. Komuniteti ndërkombëtar po hesht”, shprehet ai.
Sipas tij, të gjitha vendet kanë interesat e tyre dhe askush nuk dëshiron të përballet me SHBA-në në këtë periudhë, prandaj, siç thotë ai, reagimi ndaj Izraelit është edhe më i zbehtë se para armëpushimit.
Ai shtoi se për këtë arsye, edhe vendet më propalestineze në Evropë kanë treguar një reagim të dobët.
Halper vuri në dukje se Izraeli ka krijuar një zonë komoditeti për veten dhe se kundërshtimi ndaj tij nuk po sjell përfitime. “Palestinezët kanë mbetur plotësisht të pambrojtur”, thotë ai.
– “Qëllimi i sionizmit është ta shndërrojë Palestinën nga një vend arab në një vend hebre”
Halper shpjegon se gjenocidi është pjesë e pushtimit kolonial, pra sionizmit, dhe se Izraeli po e zbaton atë: “Qëllimi i sionizmit është të pushtojë Palestinën, ta shndërrojë Palestinën nga një vend arab në një vend hebre. Kjo nuk mund të bëhet pa gjenocid, sepse palestinezët nuk do të thonë ‘ne do të ikim gjetiu, merreni ju vendin tonë’”.
Ai gjithashtu vuri në dukje ekzistencën e ligjeve ndërkombëtare që u japin popujve të shtypur të drejtën për të rezistuar përmes “luftës së armatosur”, por shtoi: “Por këto nuk kanë asnjë kuptim, sepse nuk zbatohen, janë thjesht çështje politike. Gjithçka kalon përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Amerikanët kanë të drejtën e vetos. Kjo do të thotë se Izraeli nuk ka frikë nga sanksionet”.
Prandaj, thotë Halper, Izraeli nuk i merr seriozisht reagimet ndërkombëtare.
“Izraeli po kryen një gjenocid në Gaza dhe tani po e eksporton këtë gjenocid edhe në Bregun Perëndimor”, nënvizon ai.
Ai gjithashtu tha se mbështetja që popujt e botës ua japin palestinezëve kundër këtij “gjenocidi” nuk është reflektuar në politikat e qeverive dhe paralajmëroi se kjo mund të çojë në një normalizim në të cilin palestinezët thjesht injorohen.