Anulimi i vizave nga ambasada e SHBA, reagon Shoqata e Gjyqtarëve

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka thyer heshtjen pak ditë pasi ambasada amerikane revokoi vizat për 23 gjyqtarë dhe prokurorë në vend, duke e trajtuar çdo anulim vize si rast individual dhe që nuk mund të shërbejë si etalon matjeje dhe as si kriter për vendimmarrjen e organeve që do të realizojnë procesin e vetingut.

Duke theksuar se nuk mund të komentohet mbi një vendim sovran të një vendi mik, gjyqtarët kujtojnë se nuk mund të vijohet me heshtje ndaj sulmeve të politikës.

“Nuk mund të vazhdohet të mbahen mbi supe sulmet e padrejta dhe akuzat e fryra që aktorë publike dhe segmente të caktuara janë duke bërë ndaj organeve të drejtësisë, duke na konsideruar si zyrtarë që nuk e duam reformën”, thotë komuniteti i gjyqtarëve, shkruan Top Channel.

Duke u radhitur si dashamirës të reformës, shoqata kombëtare kujton se njerëzit e drejtësisë kanë dhënë kontribut në përgatitjen e kuadrit ligjor. Por duke u shprehur të keqardhur, gjyqtarët konstatojnë se kur reforma është afër, presioni ndaj funksionarëve të sistemit të drejtësisë po rritet gjithmonë e më tepër. “Kemi theksuar që në fillim të kësaj reforme se, organet e drejtësisë në vend, padrejtësish janë etiketuar si “pjesa e sëmurë” e organizmit shtetëror dhe e keqja që duhet luftuar. Kjo frymë anti-institucionale ka ardhur në rritje, deri në pikën sa tashmë reforma po konceptohet si një reformë kundër sistemit të drejtësisë dhe jo reformë për sistemin e drejtësisë”, thuhet më tej.

Por, sipas gjyqtarëve, retorika që po përdoret ndaj sistemit dhe sidomos ajo e  anulimit të vizave ka mundësi të amplifikohet dhe të shërbejë si mjet presioni ndaj organeve të reja kushtetuese.