Pas dështimit të 3 përpjekjeve, apartamentet luksoze të sekuestruara të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në Vodno, shteti tani i ofron me një zbritje të konsiderueshme. Apartamentet u sekuestruan me vendimin e formës së prerë për rastin “Parcelat në Vodno”, pasi Prokuroria dëshmoi se pronari i vërtetë i tyre ishte Gruevski. Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar i ka ulur çmimet me rreth 200 mijë euro për apartament. Ulja më e madhe është bërë për apartamentin me sipërfaqe prej 199 metrash katrorë. Në vend të çmimit fillestar prej 847.000 eurosh, çmimi i ri fillestar tani është 635.200 euro. Apartamenti i dytë, i cili ka një sipërfaqe prej 155 metrash katrorë dhe më parë ofrohej për 760.000 euro, tani shitet për 569.662 euro. Apartamenti i tretë, me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, në vend të çmimit të mëparshëm prej 850.000 eurosh, tani ofrohet për 638.000 euro. Apartamentet kanë një sipërfaqe të përgjithshme prej 750 metrash katrorë dhe janë të pajisura në mënyrë luksoze. Vetëm tarracat janë pothuajse aq të mëdha sa apartamente të tëra dhe kanë rreth 50 metra katrorë secila. Blerësit e interesuar do të mund t’i vizitojnë apartamentet më 10 shtator, ndërsa ankandi publik elektronik është caktuar për më 21 shtator. Rasti “Parcelat në Vodno” kishte të bënte me përfitim të paligjshëm të pasurisë dhe keqpërdorim të donacioneve partiake gjatë periudhës nga qershori i vitit 2006 deri në tetor të vitit 2012. Sipas aktakuzës, Gruevski kishte përvetësuar rreth 1,3 milionë euro nga donacionet partiake, të cilat më pas i kishte përdorur për blerjen e tokës dhe pronave me vlerë në Vodno. Për këtë vepër, fillimisht ai u dënua me shtatë vjet burg, dënim të cilin Gjykata e Apelit më vonë e ndryshoi dhe e rriti në nëntë vjet burgim. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski në vitin 2018 u arratis në Hungari, ku mori azil nga qeveria e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban./Alsat.mk.
The post Apartamentet luksoze në Vodno të ish kryeministrit Nikolla Gruevski dalin sërish në shitje appeared first on Alsat.



