Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktakuzën e rastit të njohur si “Toka”, ku i akuzuar është ish- deputeti i PDK- së, Azem Syla.
Më 28 nëntor të këtij viti, Gjykata e Apelit, ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë përmes së cilit është refuzuar kërkesa e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës.
Azem Syla dhe të tjerët në këtë rast ngarkohen për krim të organizuar në rastin e dyshimeve për tjetërsim të tokave në pronësi shoqërore në Veternik dhe Llapnasellë afër Prishtinës.
KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit përmes së cilit janë sqaruar të gjeturat e kolegjit të përbërë nga gjykatësit ndërkombëtar të EULEX-it.
Sipas aktvendimit, në bazë të vlerësimit të përgjithshëm nuk është përmbushur asnjëri nga kushtet për hedhje të aktakuzës.
“Pjesa më e madhe e kritikave të të pandehurve në lidhje me këtë është drejtuar drejt mungesës së arsyetimit në aktvendimin e kundërshtuar, duke i adresuar argumentet e të pandehurve në baza individuale. Disa të pandehur gjithashtu ritheksojnë kundërshtimet e tyre të tjera që kanë të bëjnë me parashkrimin, vazhdimin e periudhës hetimore në mënyrë të kundërligjshme, dështimin e Gjykatës Themelore që të sigurojë praninë e të gjithë të pandehurve gjatë seancave”, thuhet në aktvendim.
Sipas aktvendimit, kolegji i Apelit ka gjetur se aktakuza i përmbush kushtet e nevojshme për të qenë e pranueshme në këtë fazë.
“Duke pasur parasysh garancitë të shumta që i janë dhënë të pandehurve gjatë dhe pas shqyrtimit gjyqësor , është më se e qartë se aktvendimi i kundërshtuar nuk ka shkelur të drejtën duke i shkaktuar dëm të parevokueshëm ndonjë të pandehuri”, thuhet më tej në aktvendim.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.