Nga kjo e premte, qytetarët e Prishtinës do të mund të informohen në kohë reale, për vendndodhjen e autobusëve të rinj përmes GPS-it.
Qytetarët do të mund të shkarkojnë aplikacionin “Trafiku Urban” që nga e premtja, raporton KTV.
Komuna e Prishtinës ka lansuar aplikacionin për Trafikun Urban në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve komunale.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se kjo është baza e trafikut urban, ndërsa në vitin 2018, Komuna e Prishtinës do t’i ketë edhe kartelat për trafikun urban.
Ahmeti sqaroi se janë duke e pritur vetëm një përgjigje nga BERZH-i për ta blerë edhe pjesën tjetër të autobusëve.
Ndërsa, drejtori i Administratës në këtë Komunë, Muhedin Nushi, tha që kjo është vetëm faza e parë, pasi ky projekt i ka edhe dy të tjera.
Në këtë projekt janë angazhuar dy studentë, Arianit Pajaziti dhe Rinor Bytyçi, të cilët kanë mundësuar që qytetarët e Prishtinës të njoftohen me kohën, vendndodhjen dhe informata të tjera të nevojshme për ta.