Apple dhe Nokia njoftuan se i kanë dhënë fund kontestit rreth të drejtave intelektuale, përkatësisht patentave, përmes nënshkrimit të marrëveshjes së re shumëvjeçare për patenta.
Kontesti ndërmjet dy kompanive ka nisur në vitin 2011, pasi Apple refuzoi që të pranojë nga Nokia një çmim më të lartë për licencë.
Mos pajtimet kulmuan më 21 dhjetor 2016 me akuzën e Nokia kundër Apple në Gjermani dhe Amerikë për shkelje të të drejtave të patentës. Një ditë më vonë, Nokia zgjeroi padinë në më shumë se 40 patenta në 11 shtete. Si përgjigje ndaj akuzës së Nokia, kompania Apple tërhoqi prodhimet e tyre nga polica e saj.
Ndonëse duket e palogjikshme që Apple shet prodhimet e Nokia, nuk bëhet fjalë për mobil, por për prodhime të kompanisë Withings, kryesisht orë të mençura elegante. Nokia ka blerë Whitings një vit më herët për 190 milionë dollarë. Pas marrëveshjes së arritur, orët Withings kthehen në ofertën e Apple, ndërsa kjo e fundit do të paguajë paraprakisht patentat, si dhe të gjitha licencat e ardhshme.
Patentat kanë të bëjnë për kompanitë, të cilat Nokia i kishte blerë në vitin 2015, të ndërlidhura me softuerin, video kodimin, çipat, ekranet dhe antenat, transmeton KosovaPress. Të dyja kompanitë janë zotuar se do të bashkëpunojnë në fushën e nismave digjitale shëndetësore dhe do të mbajnë takime për të mbajtur marrëdhëniet e mira.