Përshpërimat e para mbi veturën vet-vozitëse të Apple kanë qarkulluar fillimisht në shkurt të vitit 2015.
Që nga atëherë, prodhuesi i iPhone 7 ka punësuar një numër të konsiderueshëm individësh të industrisë automobile.
Megjithatë, përkundër raporteve dhe thashethemeve të shumta, Apple ka qëndruar neutrale mbi ambiciet e saja automobilistike, të koduara me emrin Project Titan.
Sidoqoftë, në një letër të shkëmbyer me administratën amerikane të sigurisë së trafikut, Apple ka shtyer qeverinë amerikane të mos kufizojë testimin e veturave vet-vozitëse, njofton VentureBeat.
Në këtë letër, Apple ka shpjeguar se është në përdorim të teknologjisë vet-mësuese, duke përfshirë edhe teknologjinë e transportimit.
“Apple përdor këtë teknologji për të prodhuar produkte dhe shërbime më të mençura, më intuitive dhe më personale,” – shkruan kompania.
“Kompania është duke investuar në masa të mëdha në studimin e automatizimit dhe është e lumtur në potencialin e këtyre sistemeve që gjejnë përdorim në shumë sfera, duke përfshirë edhe transportimin.”
Raportet e fundit sugjerojnë që interesimi i Apple në teknologjinë e mençur të mjeteve të transportimit ka të bëjë me planet e kompanisë për prodhimin e makinës së tyre, ose së paku të një sistemi që ndihmon në automatizimin e veturave dhe mundëson vet-vozitjen.