Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi nuk e ka ndërmend të ndalët nga kërkesa e tij për rinumërim të tërësishëm të votave në Prishtinë.
Kjo për shkak se ai është i bindur se në Prishtinë ka pasur manipulime me vota nga Lëvizja Vetëvendosje.
Arban Abrashi dhe LDK-ja i janë drejtuar tanimë edhe zyrtarisht Panelit Zgjedhior për Ankesa dhe Parashtres (PZAP_ me një kërkesë për mbrojtjen e të drejtave zgjedhore nga shkeljet gjatë balotazhit të datës 19 nëntor 2017.
ORAinfo ka siguruar një kopje të ankesës përmes secilës Abrashi pretendon se ka pasur shkelje të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Zgjedhjet për Kryetar të Komunës (Raundi i Dytë) në Komunën e Prishtinës.
“Subjekti politik “Vetëvendosje” përmes personave dhe organizatave (OJQ) fantome dhe përmes shfrytëzimit të shërbimeve të transportit rrugor/taksive ka ndikuar joligjshëm në vullnetin e lirë të qytetarëve me të drejtë vote në Komunën e Prishtinës duke organizuar bartjen e qytetarëve në vendet e tyre të votimit.
Me këto veprime të vetëdijshme të përfaqësuesve më të lartë të subjektit politik “Vetëvendosje” përmes personave/simpatizantëve dhe anëtarëve të tyre në mënyrë të organizuar të cilat veprime janë pranuar publikisht nga kryetari i subjektit politik “Vetëvendosje”, zt. Visar Ymeri, me datën 21 nëntor 2107”, thuhet ndër të tjera në ankesën e Abrashit drejtuar PZAP, një kopje të secilës posedon ORAinfo.
Përmes ankesës Abrashi pretendon se e drejta zgjedhore e kandidatit të subjektit politik “Lidhja Demokratike e Kosovës” është shkelur në atë mënyrë që nga subjekti politik “Vetëvendosje” janë ndërmarrë disa veprime që cenojnë rënd parimet themelore kushtetuese e ligjore lidhur me zgjedhjet.
Aty më tutje thuhet se bartja e votuesve mund të bëhet vetëm nga KQZ-ja në pajtim me rregullat e KQZ-së për kategori të caktuara të votuesve.
Gjithashtu Abrashi përmes ankesës ka potencuar se gjatë procesit të administrimit të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve/KQZ është vërejtur se në disa raste tek zarfet e fletëvotimeve me kusht kanë munguar fletëvotimet brenda tyre, si rrjedhojë, nga praktikat e deri tashme, dihet se sa herë mungojnë fletëvotimet në këtë mënyrë, ka shumë gjasa, prandaj edhe ne besojmë, të ketë ndodhur praktika e “trenit bullgar” që është një praktikë e njohur ndërkombëtare e manipulimit zingjiror të votave.
“Tërë këto parregullsi kanë bërë që vota nuk ka qenë e barabartë , e fshehtë dhe e lirë në rastin konkret është objekt ankimimi sepse ka prova se një subjekt politik , “Vetëvendosja” , ka bërë bartjen e votuesve kurse nuk ka asnjë provë publike se këtë e kanë bërë edhe partitë tjera siç ka deklaruar kryetari i subjektit “Vetëvendosjes” zt. Visar Imeri. Me këto veprime të subjektit politik “Vetëvendosje” është shkelur edhe Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, siç u argumentua më sipër në paragrafin 16”.
Në ankesë ceket se nisur nga fakti se rezultat është jashtëzakonisht i ngushtë dhe standardi deri në një për qind të dallimit në votë shërben ndërkombëtarisht si pikë referimi për rinumërim të votave në rast të parregullsive dhe sipas anekses së shtruar nga pala kandidat e pakënaqur, rinumërim i tërësishëm i votave në Komunën e Prishtinës del si i domosdoshëm dhe ligjërisht i bazuar.
“Thënë ndryshe, më qëllim që të evitohen të gjitha shkeljet e pretenduara, me qëllim të saktësimit dhe konfirmimit të rezultatit, me qëllim që kryetari i ardhshëm i Prishtinës të gëzojë legjitimitet të plotë, me qëllim që të mos cenohen por të respektohen të drejtat kushtetuese indviduale, në këtë rast, të drejtat e mia si kandidat, me qëllim që të mos cenohet besimi i qytetarëve votues të Prishtinës në procesin zgjedhor, kërkojmë nga Paneli i juaj që të URDHËROJË KQZ-në që të RINUMËROJË të gjitha fletëvotimet e rregullta, VLERËSOI (fletëvotimet e pavlefshme, të zbrazëta dhe të dëmtuara) dhe të KONTROLLOI zarfet e fletëvotimeve me kusht të cilat nuk janë konfirmuar dhe si rrjedhojë nuk janë hapur fare.
Ankuesi i parë dhe ankuesi i dytë , marrë parasysh parregullësitë si më sipër të dokumentuara deri në fund, konsideron se edhe shkuarja në RIVOTIM TË RI përbën një opsion të pranueshëm me qëllim të restaurimit të të drejtave të cenuara kushtetuese nga neni 45 i Kushtetutës dhe të vëna në jetë përmes Ligjit dhe Kodit për zgjedhjet.
Vendimi i Gjykatës Supreme AA nr.52/2017, datë 25 nëntor 2017 më të cilin anulohet vendimi i PZAP ZL nr.1102/2017, datë 22 nëntor 2017, nuk paraqet cështje të gjykuar (res judicata) sepse këtu fjala është për ankesë ndaj rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës .
Faktet dhe provat e reja rreth balotazhit të datës 19 nëntor 2017 nuk janë mbuluar me vendimin e KQZ për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës.
Sipas nenit 21 [“Parimet e Përgjithshme”] të Kushtetutës së Kosovës, të drejtat nga neni 45 i Kushtetutës janë cëntuar si për ankuesin e parë ashtu dhe për të dytin dhe, mutatis mutandis, kjo ankesë vlen për dy parashtruesit e kësaj ankese”, thuhet në fund të ankesës drejtuar PZAP-së. /ORAinfo