Pas takimit të kryeministrit Hristijan Mickoski me VLEN, burimet e Alsat, brenda kësaj të fundit bëjnë me dije se Arben Taravari do të largohet nga Qeveria.
Kjo pritet të vijë pas vazhdimit të bisedimeve që janë paralajmëruar sikurse dje nga takimi Mickoski-Taravari, po ashtu edhe sonte nga takimi Mickoski-VLEN.
Në një reagim të mëhershëm nga kryeministria, u bë me dije se takimi i sontëm ishte konstruktiv në një frymë miqësore dhe partneriteri.
“Takim konstruktiv në një frymë miqësore dhe partneriteti. U diskutua të gjitha çështjet e reformës, vullneti i qytetarëve për reforma, lufta kundër krimit dhe ndryshimet në sistem të lëna nga BDI dhe LSDM. Qytetarët nuk do të zhgënjehen. Bisedat vazhdojnë”, thuhet në reagim.
Po ashtu, më herët ka reaguar edhe Zekirja Ibrahimi-AAA/VLEN, i cili ka thënë se politika joparimore e dy karrigeve ka përfunduar dhe nuk mund të jesh edhe BDI edhe në Qeveri, duke iu referuar Taravarit.
Edhe zv. kryeministri i parë, Izet Mexhiti ka reaguar ndaj Taravarit, duke thënë se e ftuan për t’u bërë bartës i ndryshimit, por u bë simbol i Revolucionit të dritave.
Ndërkohë, që i pari me reagim, ende pa përfunduar takimi VLEN-Mickoski, ka qenë pikërisht Taravari, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka ironizuar me VLEN-in, duke shkruar vetëm “S’ia VLEN”.
Ditëve në vijim, pritet të shihen zhvillimet që do të ndodhin në lidhje me largimin e Taravarit dhe atë se si do të veprohet tutje./Alsat.mk