Polemika të shumta janë ngjallur nga konstatimi i gjuhëtarit Aristotel Spiro, i cili ka thënë dhe argumentuar se gjuha shqipe ka 27 shkoronja dhe jo 36 të tilla. Gjatë një interviste në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, studiuesi tha se i vetmi problem në alfabetin që u miratua në Kongresin e Manastirit ishin dy shkronjat, që sipas tij nuk ekzistojnë.
“Nuk ekzistojnë dy shkronjat. Nuk ekzistojnë objektivisht dy shkronja. Nëse do mblidheshin përsëri anëtarët e Kongresit të Manastirit edhe të thonin çfarë kemi bërë gjatë këtyre dy vjetëve, dy shkronjat do t’i kishin hequr dhe do të thoshin që alfabeti shqip përbëhet nga 27 shkronja”, vuri në dukje Spiro.
Më herët, ai foli dhe për çështjen e nyjave, duke theksuar se kjo ka qenë një sintagmë dhe se për mendimin e tij, nyja nuk është problem për gjuhën shqipe, por thjesht një dukuri normale që ka nevpjë për shpjegim.
“Në gjuhësinë shqiptare, çështja e nyjjave ka qenë një ndërtim, sintagmë. Sipas meje, nyja nuk është problem poër gjuhën shqipe, është dukuri normale që duhet shpjeguar. Shpjegimi I saktë sjell përfundime të tjera që prekin mendimin që kemi ne pqr dukuritë gjuhëspore, për kategorite. Për format e pashtjelluara, për format që unë I quaj forma joskajore. Vetë emri është provokim për ata që meerren me gjuhën shqipe. Kanë shkruar emra të mëdhenj për nyjat, Olga Pederseni, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Selman Riza, Besim Bokshi, Kolec Topalli, Etem Likaj, edhe shumë të tjerë. Unë jap një zgjidhje e cila duket e pappritur, se ishin mësuar me një poërjetësim të një problemi të nyjabve të shqipes.
“Përderisa nuk nuk e kanë zgjidhur emra të mëdhenj, është një eniugmë. Problemi shte vështirësia e studiouesve për të zgjidhhur çështjet e ndryshme që paraqesin nyjat e shqipes. Nuk shoh asnjë problem aty. Ndoshta është fakti se ka dy palë nyja, të përparme dhe të prapme, por nyja e përparme nuk është nyje, sepse është një mbaresë që I ngjitet emrit. Është pjesë e emrit, e strukturës së fjalëformës. Nuk mund të themi nyja, sepse nnë percepotimin tradicional perceptohet si një fjalëze mëvetësishmë, por edhe kjo nuk është e vërtetë, sepse e shohim problemin të lokalizuar në disa gjuhë të njogura të Europës”, ka thënë midis të tjerash gjuhëtari i njohur.
“Alfabeti shqip ka 27 shkronja”/ Shpjegimi i Spiros për “grerëzat e ndërkryera”
Në lidhje me këtë temë, gjuhëtari ka publikuar edhe një shkrim, ku u bën thirrje kolegëve të tij të ngrihen në nivelin e “pionierëve” të Kongresit të Manastirit (1908), të cilët treguan largpamësi për të zgjidhur praktikisht çështjen e njësimit.
Një apel, Spiro kishte edhe për “një pjese komentuesish që bredhin portaleve si grerëza të ndërkryera duke lënë helmin e tyre me një drejtshkrim shqip të masakruar, atyre u themi të qetësohen”, te cilët i këshilloi “ta tregojnë me vepra respektin e tyre për shqipen”.
Shkrimi i plotë i Spiros më poshtë:
Në këmbënguljen tonë për të përcaktuar saktë sistemin grafematik të shqipes, ndeshim jo vetëm skepticizmin e pamotivuar të një shumice gjuhëtarësh, por edhe të asaj pjese përdoruesish të gjuhës, që marrin guximin të jenë përfaqësues të ndjenjës mbarëpopullore të gjuhës shqipe.
Çështja kryesore në këtë problematikë është njohja e 27 grafemave dhe përjashtimi përfundimtar i dyshkronjëshave nga alfabeti. Kështu, do të vihet në vend një parregullsi e mbetur nga kushtet e ndërlikuara historike të miratimit fillestar të alfabetit shqip.
Do të ishte e udhës që kolegët gjuhëtarë të ngriheshin në nivelin e atyre pionierëve të njësimit shkrimor të Kongresit të Manastirit (1908), të cilët treguan jo vetëm ndjenjë të lartë fisnikërie e konsensusi, por edhe largpamësi për të zgjidhur praktikisht çështjen e njësimit. Dyshkronjëshat në dokumentin përfundimtar të atij kongresi i shërbejnë çështjes së njësimit të shkrimit dhe këtë kuptim ka prania e tyre atje. Nuk kanë të bëjnë aspak me inventarin e alfabetit.
Identifikimi i grafemave nuk është vetëm një çështje shkencore me rëndësi të padiskutueshme, por ka edhe rëndësi praktike për gjuhësinë e zbatuar (tekstet shkollore, fjalorët, përdorimi i shqipes në kompjuter). Duke kuptuar se si funksionon sistemi grafematik i shqipes, ndryshon edhe mënyra e të perceptuarit të gjërave brenda një logjike të shëndetshme faktesh të pamanipuluara.
Kjo metaforë e ardhur nga gjuhësia vjen për ta ndihmuar dhe gjallëruar shoqërinë shqiptare në këtë fazë të zhvillimit të saj. Sa më shpejt që ta kuptojmë këtë, aq më mirë do të jetë për shoqërinë, shkollën, përdoruesit e gjuhës.
Për sa i përket një pjese komentuesish që bredhin portaleve si grerëza të ndërkryera duke lënë helmin e tyre me një drejtshkrim shqip të masakruar, atyre u themi të qetësohen. Këshilla jonë për këta njerëz është që ta tregojnë me vepra respektin e tyre për shqipen. T’i lënë klithmat e një patriotizmi vulgar të panevojshëm dhe të përpiqen për gjënë më të thjeshtë: të mësojnë të shkruajnë shqip. Të shkruajnë ë-në dhe ç-në, të shkruajnë saktë format rasore dhe të përdorin saktë kohët e foljeve. Kësaj skote të paditurish që kërcejnë prej llagëmesh pellazgologe pa ua pasur haberin këtyre gjërave u themi të jenë të qetë, sepse praktika e deritanishme e përdorimit dhe vlera fonetike e dyshkronjëshave mbeten të panegociueshme dhe të pandryshueshme në shkrimin shqip. Alfabeti shqip ka 27 shkronja, ndërsa fonemat /th/, /dh/, /sh/, /zh/, /xh/, /nj/, /gj/, /ll/, /rr/ do të vazhdojnë të shkruhen ashtu si më parë me kombinimet e grafemave/shkronjave TH, DH, SH, ZH, XH, NJ, GJ, LL, RR, pikërisht ashtu siç vendosën ata burra të mençur në Kongresin e Manastirit. Asgjë nuk e ndryshon këtë.
Nuk do të jetë e largët dita kur alfabetit të gjuhës shqipe do t’i njihet numri i saktë i 27 grafemave, sikundër i ka në të vërtetë.
Gjuhët e tjera të kombeve të qytetëruara e kanë zgjidhur prej kohësh këtë problem. Ndonjë gjuhë shumë e njohur e kontinentit të vjetër e ka zgjidhur vitet e fundit.
Është detyrë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që të shprehen qartë për alfabetin duke i dhënë fund një provizoriteti të zgjatur dhe një parregullsie shkencore: të vendosin për të hequr përfundimisht dyshkronjëshat nga alfabeti duke miratuar alfabetin e shqipes me 27 shkronja – grafema.
Është në nderin dhe dinjitetin e tyre shkencor që ta bëjnë këtë sa më parë.
Brezat e ardhshëm do t’u jenë mirënjohës.