Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Për miratimin e rezolutës votuan 153 vende, 10 ishin kundër dhe 23 anëtarë të OKB-së abstenuan.
Në mesin e vendeve që votuan PËR ishte edhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Lajmin e ka bërë të ditur edhe Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
“Maqedonia e Veriut votoi PËR në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që kërkon armëpushim urgjent në Gaza për qëllime humanitare!”, ka shkruar Osmani.
Rezoluta bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” si dhe “që të gjitha palët të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve”.