Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se arratisja e të dënuarit për vrasjen e policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemit gjyqësor. Në mbledhjen e qeverisë të martën, Kurti tha se situata po bëhet edhe më e rëndë kur këto raste nuk po përbëjnë përjashtim.
“Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se reforma në sistemin e drejtësisë është urgjencë.
Enver Sekiraqa, i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, që nga e premtja është në arrati.
Sekiraqa u dënua në fillim të majit me 25 vjet burgim, por u la i lirë deri në plotfuqishmërinë e vendimit. Të premten e javës që shkoi, Apeli mori vendim që ai të paraburgoset, por policia nuk e gjeti në shtëpi.
Sekiraqa akuzohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza në gusht të 2007-s, e cila sipas prokurorisë ndodhi pas një zënke mes tyre në dhjetor të vitit 2006. Më 2017 ai ishte dënuar me 37 vjet burgim për dy vepra penale: “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe “detyrim”. Rasti më vonë u kthye në rigjykim.
© SYRI.net