Pas disa vite kërkimesh, Policia e Shtetit ka bërë të mundur ditën e djeshme vënien nën pranga të 56-vjeçarit, Reshat Radhima, i njohur si një nga anëtarët e grupit të Habilajve, i cili ishte dënuar nga Apeli i GJKKO me 4 vjet e 2 muaj e 4 ditë burgim për ‘kultivim droge’ dhe ‘grup të strukturuar kriminal’.
Radhima u kap në përgjime për drogë teksa bisedonte në vitin 2016 me të hetuarin tjetër Taulant Haxhiraj dhe shqetësoheshin për parcelat me hashash.
Gjykata për Krime të Rënda nisi më 15 prill 2019 gjykimin për dosjen ‘Habilaj’, ndërsa procesi ndaj Radhimës u veçua nga ai i anëtarëve të tjerë, pasi ai ishte në arrati dhe kërkohej nga policia.
BOMBA E PORTALIT ITALIAN QË ZBULOI DOSJEN E “HABILAJVE” NE ITALI
Më 17 tetor të 2017-s, portali siçilian ‘Meridionews’ publikoi lajmin me titull: “Biznesi i drogës nga Shqipëria në Katania me në krye kushëririn e ministrit shqiptar”.
Menjëherë pas këtij lajmi, i cili mori dhenë edhe në mediumet shqiptare, ujërat do të nisnin të trazoheshin në rangjet e larta të drejtuesve të vendit tonë.
Artikulli i referohej një operacioni të ‘Guardia Di Finanza’, që ishte finalizuar pas tre vitesh përgjimesh ndaj një organizate kriminale shqiptare që ushtronte aktivitetin e saj në trafikun e hashashit nga brigjet e Vlorës në drejtim të Italisë. Urdhër-arrestet u lëshuan ndaj 15 personave, një pjesë e të cilëve ndodheshin në Shqipëri në atë kohë. Mes të arrestuarve ishte edhe Moisi Habilaj.
Në artikull me autor gazetarin Dario de Luca thuhej se në dosjen voluminoze me mbi 400 faqe, policia e Katanias zotëronte përgjime të shumta telefonike, mes të cilave edhe një bisedë mes Moisi Habilajt dhe një anëtari tjetër të grupit kriminal, teksa flisnin për një kushëri me emrin “Saimir”.
‘Meridionews’ hidhte dyshimet se personi me emrin “Saimir” ishte pikërisht Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, që ishte dorëhequr nga ky post në mars të 2017-ës, ende pa shpërthyer mirë dosja “Habilaj”.
POR, ÇFARË PËRMBANIN PËRGJIMET E GRUPIT TË KAPUR, KU PËRMENDET EDHE SAIMIR TAHIRI?
Gjykata e Katanias, në dosjen prej më shumë se 400 faqesh, që vulosi fatin e Moisi Habilajt dhe bandës së tij, përmend edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri. Hetuesit italianë bëjnë një përmbledhje të kësaj bisede.
“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thonë hetuesit italianë.
Ky nuk është i vetmi rast që përmendet emri i Saimir Tahirit. Policia Italiane ka të evidentuar dhe automjetin tip “Audi” me targa AA 003 GB, me të cilin dy personat në fjalë kanë udhëtuar në drejtim të Siçilisë. Makinë e cila është në emër të Saimir Tahirit.
Në përgjimin e datës 2 mars 2014, thuhet se mes të arrestuarve është zhvilluar një bisedë për ndarje parash.
“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”, thuhet aty.
Në pasazhe të ndryshme në dosje se si Moisi Habilaj i tregon bashkëpunëtorëve të tyre italianë se sa e thjeshtë është të trafikosh mes Shqipërisë pasi policët janë të korruptuar. Gjatë bisedës mes Moisi Habilaj dhe Sebastiano Greco, Moisiu i thotë se nëse shkon në Shqipëri do ta kuptojë se policia është e korruptuar.
“Madje në disa raste, është vetë shefi i policisë që i ndihmon të fusin në makina thasët me lëndë narkotike“, thotë ai.
Siç është dokumentuar në dosje, në maj të vitit 2015, peshkarexha italiane “Fatima” është ankoruar në gjirin e Porto Palermos, ku pasi është ngarkuar me lëndë narkotike është nisur në drejtim të Italisë.
Hetimet kanë nisur në vitin 2013 dhe gjatë kësaj kohe, policia italiane ka arritur të bllokojë 3500 kg kanabis. Hetuesit kanë zbardhur edhe procesin e kultivimit të hashashit në Shqipëri, proces të cilin trafikantët kishin punësuar edhe femra.
Pjesë nga dosja e përgjimeve më poshtë:
1: Ç’a bën zemra, si është koha andej?
2: Koha është e vrenjtur. Ne po e mbledhim se është tharë.
1: E mblodhët dot? Thuaj Erit të ngul disa hunj dhe të vërë nga ato llamarinat e vjetra në të dy anët e stallës. Po Shqipja me Lelën erdhën?
2: Nuk e morëm dot të gjithën se u prish zetori.
Në dosje përmendet takimi me një person të njohur si “Kapo”, siç del nga përgjimet dhe jepte shpjegime mbi dështimin e transfertave të drogës dhe konfliktet e grupeve të tjera.
F: Jam nisur që dje në Tiranë dhe tani sapo erdha në Fier.
M: Pse?
F: Më kërkoi shefi i madh
M: Cfarë kërkonte?
F: Asgjë, për këtë… për situatën
M: Aha…fole direkt me të?
F: Më priti në 11:30, më dërguan edhe taksi të më merrnin
M: E çfarë të tha?
F: Më pyeti si është situata
M: Që domethënë…?
F: Më tha që të mos shqetësohesha, sepse është çështje orësh dhe se të mos mendohesha shumë.
M: Duhet t’i thoshe që ne nuk kemi asnjë faj, këtë duhet t’i thoshe.
F: Po ja thash që ne nuk kemi faj e më tha që ata e bëjnë qëllimisht që unë t’i telefonoj
M: Edhe ne e kemi ditur këtë gjë dhe për këtë arsye nuk e kemi shqetësuar
F: Ai më tha që e kemi telefonuar dhe i kishte kërkuar që të mos përzihej me lojërat e fatit.
M: E kishte telefonuar (Duke nënkuptuar një person të tretë)
F: E kishte telefonuar ky i madhi.E kishte marrë në celular. Unë i thashë që ne nuk godasim, na ka shqetësuar na ka shkatërruar të gjithë biznesin.
M: Në rregull
F: Më tha, “ik i qet mos u shqetëso”.
Moisi Habilaj dhe Armando Sulaj janë përgjuar duke folur për peshkarexhën që do të ngarkohej me hashash. Edhe në peshkarexhën me emrin “Fatima” janë kryer përgjigje ambientale për disa muaj. Anëtarët shqiptarë dhe italianë janë regjistruar gjatë përgatitjeve për transportin e hashashit.
Në fund gjykatësja, Loredana Pezzino, firmosi urdhër arrestet me burg për 12 anëtarët e bandës, mes të cilëve edhe vëllezërit Habilaj.
SI U GODIT GRUPI I HABILAJVE, GJYQET DHE DËNIMET NË ITALI E SHQIPËRI:
Grupi “Habilaj” u godit në tetor të vitit 2017. Hetimet në Shqipëri u hapën pas publikimeve në media, ndërsa u morën në Itali me mijëra faqe përgjime të grupit “Habilaj” ku ata përmendin edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm.
Në Shqipëri të pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda u morën ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe tre ish-zyrtarë të lartë të policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.
I vetmi nga grupi që ndodhej në Shqipëri ishte Armand Koçerri, i cili u arrestua së bashku me Nazer Seitin, ky i fundit, u ekstradua disa muaj më parë në Itali, ku edhe është duke u gjykuar.
Dënimi i Moisi Habilajt në Itali:
Një nga krerët e bandës kriminale të trafikut të drogës, Moisi Habilaj, i famshëm për lidhjet me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, ndërsa anëtarët e tjerë të bandës morën dënime prej dy deri në katërmbëdhjetë vjet burg.
Drejtuesi tjetër i bandës, italiani Antonino Riela u dënua me 14 vjet burg ndërsa Meridian Sulaj mori tetë vjet e katër muaj e Nezar Seitaj mori shtatë vjet e pesë muaj burg.
Vëllai i Moisiut, Florian Habilaj, vijon të jetë i shpallur në kërkim që nga tetori i vitit 2017, ndërsa të paarrestuar nga policia janë edhe tre ish-drejtues të policisë së Vlorës të akuzuar nga prokuroria shqiptare për trafik ndërkombëtar droge.
Dënimi i Moisi Habilajt në Shqipëri:
Anëtarët e grupit të Habilajve që sipas drejtësisë italiane trafikuan gati 30 ton kanabis në katër vite nga Shqipëria drejt Italisë, kanë marrë dënimin edhe nga gjykata shqiptare.
Nga 18 vite që kërkoi SPAK, për Moisi Habilajn që konsiderohej kreu i grupit u vendos dënimi prej 10 vitesh. Gjithsesi për momentin ai është në arrati pasi ia doli t’u shpëtojë karabinierëve italianë gjatë kohës që ishte në arrest shtëpie atje.
Për anëtarët e tjerë të grupit, Nazer Seitajn, Fatmir Minajn dhe Meridian Sulajn, gjykata vendosi për secilin nga 9 vite burg, nga 15 që kishte kërkuar SPAK.
Arratisja e Moisi Habilajt nga banesa në Itali:
Në 11 janar të vitit të kaluar Moisi Habilaj u arratis në Itali pasi Policia shkoi për t’a rikthyer në burg pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Katanias.
Prej majit të vitit të 2020, Habilaj ishte në arrest shtëpie, por në dhjetor të po atij viti, Apeli i Katanias konfirmoi dënimin e Shkallës së Parë me 15 vite e 5 muaj dhe 5 ditë burg.
Menjëherë pas kësaj, shteti italian e shpalli në kërkim Moisi Habilajn.
Pas arrestimit, del sërish në skenë Moisi Habilaj, miqësia me djalin e bosit të Cosa Nostra:
Në 26 maj 2021, Moisi Habilaj do të dilte sërish në skenë, këtë herë nga arratia, ku është kapur në përgjime duke bërë ndërmjetësin mes dy shqiptarëve të arrestuar dhe mafiozit Natalino Niza të Cosa Nostra.
Sipas mediave italiane nga përgjimet e kryera ndaj dy shqiptarëve Julian Hoxhaj e Indrit Karafili të arrestuar në Itali vitin e kaluar, ka dalë se ato komunikonin me Moisi Habilaj, i ndodhur në arrati, për të ndërmjetësuar trafikun e 30-40 kg kanabis të dy shqiptarëve për Cosa Nostran.
Mafiozi Natalino Niza i Cosa Nostra ka kërkuar 30-40 kg kanabis dhe për këtë Habilaj i ka lidhur me Julian Hoxhaj e Indrit Karafili. Në qendër të diskutimit që është përgjuar ishte ndihma që Natalino Nizza do t’i siguronte Habilajt. Miqësia mes të dyve ishte ajo që i hapi rrugën udhëtimeve të biznesit të Hoxhajt dhe Karafilit në Catania.
DËNIMI DHE VETËDORËZIMI I ISH-SHEFIT TË POLICISË SË VLORËS, GJERGJI KOHILËS:
Gjergji Kohila u shpall fajtor në mungesë nga shkalla e parë dhe u dënua me 8 vite burg, pasi përfitoi nga zbritja e gjykimit të shkurtuar. Akuzat për të cilat u shpall fajtor ish-shefi i sektorit kundër krimit të organizuar të policisë së Vlorës e lidhin atë me trafik të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit kriminal për të cilën mori 12 vite burg.
Ndërsa për grupin kriminal, ish-zyrtari Kohila u shpall fajtor dhe mori dhe dy vite të tjera burg, por siç deklaroi gjyqtari Artan Gjermeni në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai fiton një të tretën e uljes së dënimit.
Emri i Kohilës është në të njëjtën dosje të quajtur si “Habilajt”, e së bashku me të është edhe Sokol Bode, një tjetër ish-zyrtar policie që vijon të jetë në arrati, por që çështja e tij u veçua mbasi kërkoi gjykim të zakonshëm.
Ky i fundit u vetëdorëzua në dhjetor të vitit të kaluar. Ai iu drejtua Komisariatit të Policisë së bashku me avokatin e tij, pasi Gjykata e ka dënuar me 8 vite burg si i përfshirë në grupin “Habilaj”.
Gjergj Kohila, Jaed Çela dhe Sokol Bode ishin tre zyrtarët e policisë të shpallur në kërkim për përfshirje të trafikun e drogës. Aktualisht në burg është vetëm Jaeld Çela, i cili u vetëdorëzua për tu përballur me drejtësinë, për akuzat e trafikut të drogës.
DËNIMI I ISH-DREJTORIT TË POLICISË SË VLORËS, JAELD ÇELA:
Jaeld Çela, ish-drejtori i Policisë së Vlorës gjatë periudhës kur ministër ishte Saimir Tahiri. u hetua nga prokuroria për trafik droge dhe favorizim të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj, gjatë viteve 2015-2016, kur ai drejtonte Policinë Vlorë, së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Gjykata për Krimet e Rënda e deklaroi atë të pafajshëm për këto akuza, por e shpalli fajtor për shpërdorim detyre. Për këtë ai u dënua me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar dënimi përfundimtar i shkoi në 3 vite e 4 muaj.
Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e tre drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit: Jaerd Çelës, ish-drejtori i policisë së Vlorës; Gjergji Kohilës, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë; dhe Sokol Bodes ish-kreu i policisë kufitare të Dhërmiut. Operacioni u dekonspirua, ndërsa 3 drejtuesit e policisë arritën të shpëtonin.
Por, në 16 maj 2020, ai do të dorëzohej në Drejtorinë e Policisë i shoqëruar nga avokati i tij, i cili më vonë në një deklaratë për mediat hodhi poshtë akuzat duke shpjeguar se përse klienti i tij kishte ndejtur në arrati për 3 vite.
Në 9 gusht të vitit të kaluar, Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili kërkoi një masë më të butë ndaj tij. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës ankimoi vendimin e Shkallës së Parë, që refuzoi lirimin e tij nga qelia. Çela kërkoi zbutje të masës “arrest në burg” me arsyetimin e tejkalimin të afatit të shqyrtimit të çështjes së tij në Gjykatën e Apelit.
Aktualisht Çela po vuan një dënim me 3 vjet e 4 muaj burg dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
DËNIMI I ISH-MINISTRIT SAIMIR TAHIRI:
I përmendur disa herë në përgjimet e grupit të kushërinjve të tij ‘Habilaj’, kjo do të niste rrugën e gjatë dhe fundin e lulëzimit të Saimir Tahirit, ish-ministri i Brendshëm, i cili u dënua ditën e djeshme me 5 vjet heqje lirie, nga të cilat do të bëjë vetëm 3 vite e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin e shkallës parë për Tahirin, i cili vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu “313” në Tiranë.
Ish-ministrit Tahirit i lejohet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi. Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.
Gjyqtari tha se Tahiri ka përfituar favore nga grupi i Habilaj, dhurata, udhëtime me jahte, siç ka këmbëngulur SPAK, e cila kishte kërkuar 12 vite burg për trafik droge dhe grup kriminal, por sipas gjykatës vetëm akuza e shpërdorimit të kanabisit qëndron.