Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka reaguar pas arrestimit të Ergys Agasit, duke e cilësuar atë si një prej figurave të lidhura me krimin e organizuar pranë Edi Ramës.
Balliu thekson se arrestimi nisi në Elbasan, ku Agasi kishte mbështetjen e Suel Çelës, dhe përfundoi në Durrës, ku u ndalua në makinë me Uljan Shpatarakun.
Sipas tij, Agasi kishte marrë pushtet të deleguar nga Rama dhe përfaqësonte interesat e tij pranë bandave dhe drejtuesve të administratës.
Reagimi i plotë:
Arrestimi i Ergys Agasit, i njohur si koordinatori i krimit të organizuar pranë Edi Ramës, nisi në Elbasan, ku ai kishte mbrojtjen e Suel Çelës, karteli i të cilit ishte përfshirë në pengmarrjen e biznesmenit Geron Meçe. Në fund, arrestimi u përmbyll në Durrës, ku Agasi ndodhej në makinë me Ulian Shpatarakun, i njohur si krahu i djathtë i Ilir Prodës. Prej kohësh kam denoncuar se Proda ishte emërim i Agasit dhe se Agasi lëvizte nga Durrësi në Elbasan.
Gjithashtu, kam kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen e AKSHI-t, kërkesë e cila u mohua nga Edi Rama, por kjo betejë do të vijojë në Gjykatën Kushtetuese.
Fenomeni Ergys Agasi nuk do të ekzistonte nëse Edi Rama nuk do t’i kishte deleguar pushtetin atij. Rama ishte garancia e të gjitha premtimeve të Agasit. Bandat, drejtorët dhe drejtoreshat e kanë dëgjuar Agasin sepse ai përfaqësonte interesat e Edi Ramës.
Një gjë është e sigurt: ky arrestim, ashtu si çdo arrestim tjetër, do të ishte i pavlerë nëse nuk thirret Edi Rama, nëse nuk përgjigjet vetë koka e kësaj afere kriminale që u dha këtyre banditëve mundësinë të ndërtonin kështjella në të gjithë botën.
The post Arrestimi i Ergys Agasit, Balliu: Ndalimi i tij, i pavlerë pa thirrur Ramën appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



