Tomor Morina ka një javë që po qëndron në burgun maqedonas. Të mërkurën protestë për lirimin e tij, raporton T7
Ka një javë që po qëndron në një burg në Maqedoni.
Me 24 korrik, ish ushtari i UCK-së në zonën e Dukagjinit, Tomor Morina, u arrestua nga policia maqedonase.
Shkak për këtë, po del të jetë një fletarrest të lëshuar nga autoritetet serbe.
Madje këtë të martë, Serbia, ka kërkuar ekstradimin e tij nga Maqedonia e Veriut për në Serbi.
E kjo ka shqetësuar shumë familjen e Morinës.
Madje nëna e ish luftëtarit të UCK-së, për shkak të ndjeshmërisë të rastit, nuk ka mundur të flas para kamerës.
Por, një afërm i Tomor Morinës thotë që lajmi për arrestimin e tij, i befasoi.
Gurakuç Dobruna, që është djali i hallës së Morinës, thotë që është e pakuptueshme sesi edhe 20 vjet pas luftës, po ndiqen vetëm ushtarët e UCK-së.
Familjarët kërkojnë nga shteti i Kosovës, që të bëjnë gjithçka që Tomor Morina, mos të ekstradohet në Serbi.
Ndërkohë, arrestimin e Tomori rëndë po e përjetojnë edhe shokët e tij të luftës.
Sipas tyre ai ishte një luftëtar i dallua në Dukagjin.
Ish-bashkëluftëtari i Morinës, Shpend Lleshi thotë që deri në lirimin e Morinës, do ta ndjekin rrugën paqësore.
Por, kjo mund të ndërroj nëse shteti i Maqedonisë së Veriut, vendos për ekstradimin e ish-bashkëluftëtarit të tyre.
Se nuk do të rrinë duarkryq, e thotë edhe një tjetër shok i luftës i Morinës.
Ndërkohë, pranë organeve të Maqedonisë, Beogradi tashmë kanë dorëzuar arsyetimin për ekstradim të Tomor Morinës.
T7 ka biseduar me ish ministrin e drejtësisë në Maqedoni, Blerim Behxheti.
Ai ka thënë se organet gjyqësore, duhet të vendosin për këtë çështje, por fjalën përfundimtare e thotë ministri aktual i drejtësisë.
Por, ai ka bërë me dije se deri me tani nuk ka ndodhur të jetë ekstraduar ndonjë kosovar për në Serbi nga Maqedoni Veriore.