Arrestimi i priftërinjëve nxit trazira në Mal të Zi

Policia e Malit të Zi mbrëmë ka përdorur gazin lotsjellës ndaj qytetarëve në Nikshiq dhe Plevle të Malit të Zi të cilët kundërshtonin arrestimin e disa priftërinjëve të Kishës Ortodokse Serbe.

Policia e Malit të Zi përmes një postimi në Twitter tha se gjatë përleshjeve janë plagosur 4 policë.

“Sonte, qytetarët u mblodhën në Plevle dhe në drejtim të policisë hodhën gurë, shishe qelqi dhe pajisje piroteknike. Si rezultat u plagosën 4 oficerë. Një veprim i shpejtë i policisë siguroi vendosjen e rregullit. Arrestimi i atyre që janë përgjegjës për këtë incident është duke u zhvilluar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tetë priftërinj në Mal të Zi mund të përballen me 12 vjet burgim për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit të dytë më të madh të vendit, Nikshiq.

Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në një liturgji fetare për të shënuar Ditën e Shën Bazilit të Ostrogut.

Prokurorët thanë më 13 maj se tetë priftërinjtë mund të përballen me burgim nën akuzën e shkeljes së kufizimeve të pandemisë.

“Ata [priftërinjtë] akuzohen për veprën penale të shkeljes së rregullave shëndetësore në parandalimin e një sëmundjeje ngjitëse të rrezikshme,” tha prokurori Stevo Sekariq në një deklaratë.

Beogradi ka kritikuar ashpër arrestimin e tetë priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, raporton REL.

Videot dhe fotografitë nga ceremonia tregonin se si shumica e pjesëmarrësve nuk mbanin maska në fytyrë dhe as distancën e duhur nga njëri tjetri.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Patriarku ortodoks serb Irinej, thanë në një deklaratë të përbashkët se “shfaqin shpresën se arrestimet nuk do të shkaktojnë ndonjë “trazirë ose përleshje të padëshiruar”.

Vuçiq bëri thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës dhe një lirim të shpejtë të priftërinjve.

Irinej tha se ndalimet ishin “prova që shteti malazez po kryen një spastrim të Kishës Ortodokse Serbe”.

Tensione të vazhdueshme Serbi – Mal i Zi

Arrestimet pasojnë tensionet e vazhdueshme midis autoriteteve pro-perëndimore të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Autoritetet pro-perëndimore të Malit të Zi e shohin Kishën Ortodokse Serbe si një mjet për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit nga ana e Serbisë, e cila ka mbështetjen e Moskës.

Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare.

Kisha Ortodokse serbe – e cila dominon për kohë të gjatë jetën fetare në Mal të Zi – pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat.

Ligji që hyri në fuqi në janar thotë se bashkësitë fetare duhet të dëshmojnë pronësinë e pasurisë para vitit 1918.

Mali i Zi, një vend me 620,000 njerëz, u nda nga Serbia përmes një referendumi në vitin 2006, duke marrë një kurs pro-perëndimor dhe duke u anëtarësuar në NATO në vitin 2017.

Vendi gjithashtu ka negociuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nacionalistët serbë në të dy vendet kurrë nuk e kanë njohur plotësisht ndarjen e Serbisë nga Mali i Zi, për të cilin ata pretendojnë se është historikisht territor serb.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme