Arrestohen tregtarët me makinat e mbushura me ushqime në Qafë-Thanë, pranga 2 doganierëve

Rritja e çmimeve ka detyruar tregtarë dhe qytetarë të ndryshëm të kalojnë nga Kosova dhe Maqedonia për në Shqipëri me makinat e mbushura me oriz, makarona, sallam, pije freskuese dhe ushqime të tjera në përpjekje për të bërë ca lekë më shumë.

Por policia ka pikasur tre tregtarë të ushqimoreve dhe i ka vënë në pranga, duke ua sekuestruar mallin. Bashkë me ta janë arrestuar edhe dy doganierë që merrnin ryshfet. Aksioni është reklamuar si ndonjë goditje e rëndë kundër korrupsionit dhe krimit nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore në njoftimin më poshtë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në kuadër të operacionit “Dinarët” ka arrestuar në flagrancë 2 punonjës policie të Pikës Kufitare Qafë Thanë, 2 doganierë dhe 3 shtetas për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion aktiv/pasiv” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”.

Në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare, nga informacionet e marra në rrugë operative nga AMP Korçë, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e luftës kundër krimit ekonomik dhe njësine operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, kapën në flagrancë shtetasit J. H., B. H. dhe F. G.
Shtetasit e lartëpërmendur janë kapur në flagrancë ndërsa udhëtonin me mjete të ndryshme nga shërbimet në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, duke transportuar mallra ushqimorë të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar “Qafë Thanë”, duke shmangur detyrimet doganore. Në vijim të veprimeve hetimore rezultoi e provuar se shtetasit e mësipërm janë favorizuar kundrejt shumave në para nga punonjës policie në bashkëpunim me punonjës të doganës me detyrë doganier pranë kësaj pike kufitare.
Për sa më sipër nga AMP në bashkëpunim me DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, “Korupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal, për:
– Inspektor A. H., 43 vjeç, Ndihmës/Specialist kontrollor në PKK Qafë Thanë.
– Inspektor F. M., 38 vjeç, Trupë Shërbimi në PKK Qafë Thanë.
– V. B., 53 vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë
– J. P., 45vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë
Po ashtu në vijim të veprimeve paraprake hetimore u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe ”Korupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 174 dhe 244 të Kodit Penal shtetasit:
– J. H. , 37 vjeç, banues në Librazhd
– B. H., 38 vjeç, banuese në Librazhd
– F. G., 22 vjeç, banues Librazhd
Nga veprimet hetimore të kryera dhe këqyrja e pamjeve filmike është provuar se punonjësit e policisë së Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë në bashkëpunim me punonjësit e Doganës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe kundrejt shpërblimeve në para, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 automjete, 9 aparate celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundraligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambjentet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimorë dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90./GSH

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme