Mëngjesin e sotëm policia ka arrestuar një 33 vjeçar me inicialet A. E.
Sipas Kallxo.com, i arrestuari është personi i cili dyshohet se më 24 tetor dhe 2 nëntor të këtij viti kishte gjuajtur me armë në drejtim të policit Avni Berisha, i njohur me nofkën “Tarkani”.
Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar se sot në mëngjes 33 vjeçari me inicialet A. E. është arrestuar pasi që është zënë në flagrancë deri sa po kryente një vjedhje në Lagjen “Bregu i Diellit”.
I njëjti kishte parë policinë dhe kishte tentuar të ikte e më pas edhe kishte shtënë në drejtim të policisë në përpjekje për t’iu shmangur atyre.
“33 vjeçari përgjatë përpjekjeve të tij për të ikur nga policia, ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë, por fatmirësisht nuk ka arritur t’i qëllojë ata”, thuhet në një njoftim të Policisë së Rajonit të Prishtinës.
Sipas njoftimit policia ka thënë se duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre, zyrtarët policorë domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll.
“Përkundër shkrepjeve nuk raportohet për persona të plagosur nga arma e zjarrit përveç lëndimeve trupore që gjatë arrestimit të personit të dyshuar kanë marrë dy zyrtarë policorë. Të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të dyshuarit policia ia ka sekuestruar edhe një revole e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rastin në fjalë.