Arrestohet administratori i plazhit Vilë-Bashtovë ku u mbytën tre persona

Policia e shtetit në Shqipëri ka arrestuar administratorin e pjesës së plazhit të Vilë-Bashtovës, në Gosë të Rrogozhinës, ku të dielën u mbytën  tre persona në det.  

Sipas policisë, 34 vjeçari  P. N. e kishte marrë me qira këtë pjesë të plazhit nga bashkia e Rrogozhinës, por nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së plazhistëve, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës, si dhe nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova të hapësirës ujore.

“Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren kanë rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Tutje u njoftua se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tre persona janë mbytur dje në plazhin të Vilë-Bashtovës. Policia tha se viktimat janë babai me dy djemtë e tij të mitur. Shtetasit e mbytur  janë E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë.

Policia e Shtetit  ka apeluar  te të gjithë operatorët që kanë përfituar kontrata shërbimi përgjatë vijës bregdetare, që të ushtrojnë aktivitetin në përmbushje të detyrimeve për sigurinë e jetës së pushuesve dhe të marrin masa të menjëhershme për të përmirësuar edhe më shumë kushtet e sigurisë.

“Policia e Shtetit nuk do të tolerojë në asnjë rast, shkelje të tilla që cenojnë sigurinë dhe jetën e pushuesve në plazhe”, thuhet tutje në njoftim.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme