Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Zveçan një person të dyshuar për pjesëmarrje aktive në sulmin e 29 majit 2023 ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës, para objektit të komunës në Zveçan.
Gazeta Sinjali mëson nga burime të besueshme se i dyshuari është Slobodan Radenkoviç, i lindur në vitin 1989, ndaj të cilit po zhvillohet procedurë penale për vepra të rënda që lidhen me cenimin e rendit kushtetues dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.
Sipas informacioneve, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DPP-Prishtinë, ka pranuar të dhëna operative se i dyshuari ndodhej në shtëpinë e tij në Zveçan, ndërsa për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë për manipulim apo zhdukje të provave, është vlerësuar e domosdoshme ndërhyrja për arrestim.
I dyshuari është lokalizuar gjatë mëngjesit në rrugën “Kral Patri” në Zveçan dhe, në koordinim me Prokurorin e rastit, është ndaluar.
Pas arrestimit, në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij është realizuar kontroll, me asistencën e Sektorit Rajonal të Hetimeve Mitrovicë Veri, me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar disa prova materiale, përfshirë dy telefona mobilë, veshje sportive si dhe pajisje tjeraa.
Rasti po trajtohet në kuadër të dyshimeve për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar, si dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



