Është arrestuar nga policia personi që dyshohet se hodhi sprej në Gjimnazin “Shaban Hashani” në Ferizaj.
Policia arrestoi dje një person që dyshohet se hodhi sprej në korridorin e gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj më 1 shkurt.
Lajmin e bëri të ditur policia në këtë komunë me anë të një komunikate.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj në bazë të informatave të siguruara, kanë arrestuar personin e dyshuar A.M. (viti i lindjes 2000) lidhur me rastin e ndodhur në Gjimnazin ’Shaban Hashani’në Ferizaj me 01.02.2017”.
Atë ditë sipas policisë në korridorin e këtij gjimnazi i dyshuari hodhi sprej, ndërsa për këtë arsye shtatë nxënës kishin kërkuar ndihmë mjekësorë në spitalin e qytetit të Ferizajt.
Policia bën me dije se i dyshuari pas intervistimit e pranoi se hodhi sprejin.
“Pas intervistimit në prezencë të mbrojtësit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, i njëjti ka pranuar në tërësi veprën me të cilën ngarkohet,” thuhet në komunikatën e policisë.
Komunikata njofton se me urdhër të prokurorit, të dyshuarit për hedhjen e sprejit i është caktuar ndalimi policor 24 orësh.
Policia rastin e ka regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndërsa i dyshuari për hedhjen e sprejit është edhe vetë nxënës i gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj.