Arrestohet në Korçë Ramadan Zoto, i armatosur dhe në arrati që nga korriku, në pranga edhe bashkëpunëtori që e strehonte


Policia e Shtetit ka dhënë detaje të plota për arrestimin e shumëkërkuarit Ramadan Zoto, 43 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje ndaj dy personave në Sarandë, më 17 korrik 2025.

Zoto u kap në Korçë gjatë operacionit të koduar “Stuhia”, ku u ndalua i armatosur, me pistoletë gati për qitje, dhe u arrestua menjëherë pa dhënë rezistencë. Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi në një lokal në Sarandë, pas një konflikti për motive të dobëta, ku ai qëlloi me armë në drejtim të dy shtetasve, duke i plagosur.

Arrestim i dytë – Në kuadër të operacionit u ndalua edhe A. I., 50 vjeç, nga Fieri, i cili e kishte strehuar Zoton dhe e ndihmonte për t’i shpëtuar ndjekjes. Ai vetë ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje.

Çfarë u gjet në banesën ku strehohej Zoto në Fier:

4 pistoleta me karikatorë dhe fishekë,

1 armë automatike,

1 mekanizëm për silenciator,

1 dylbi nate,

1 dron,

Rreth 600 fishekë luftarakë.

Të dy personat janë në pranga, ndërsa ndaj Zotos është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale:

“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë”,

“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Njoftimi: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Stuhia”, nga strukturat e hetimit të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.

Vihet në pranga 43-vjeçari i shpallur në kërkim, pas lokalizimit në Korçë, i cili, në muajin korrik, në Sarandë, tentoi të vriste me armë zjarri dy shtetas, në një lokal.

43-vjeçari, në momentin e ndalimit, ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole, gati për qitje.

Në pranga edhe një shtetas që e strehonte në qytetin e Fierit dhe e ndihmonte t’i shmangej Policisë, i shpallur më herët për armëmbajtje pa leje, po në kuadër të këtij operacioni.

Sekuestrohen gjatë operacionit gjithsej 5 armë zjarri (4 pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, dhe 1 automatik), një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.

Në vijim të veprimeve operacionale bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në lagjen nr. 3, Sarandë, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbetën të plagosur me armë zjarri 2 shtetas, shërbimet e DVP Vlorë, konkretisht strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

• R. Z., alias R. C., 43 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit, me vendimin e datës 24.07.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e arrestimit, në qytetin e Korçës, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga edhe shtetasi A. I., 50 vjeç, banues në Fier, i cili fshihte dhe strehonte shtetasin R. Z.

50-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, pasi falë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe punës së strukturave të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, në vijim të veprimeve operacionale për finalizimin e këtij operacioni, u ushtrua kontroll konkretisht në banesën e shtetasit A. I., në qytetin e Fierit, ku dyshohej se fshihej shtetasi i kërkuar R. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë u gjet dhe u sekuestrua një arsenal armësh dhe sendesh të tjera, konkretisht: 3 armë zjarri pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, një armë zjarri automatik, një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme