Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit, pasi u kap në flagrancë duke kultivuar bimë narkotike në fshatin Rranxë.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, gjatë operacionit të zhvilluar një ditë më parë, në një zonë të pyllëzuar u konstatuan dhe u asgjësuan gjithsej 136 bimë narkotike. I arrestuari është shtetasi S. H., ndërsa vijojnë kërkimet për bashkëpunëtorin e tij, shtetasin A. H.
Gjatë kontrolleve, uniformat blu sekuestruan si prova materiale dy automjete, njërin në pronësi të të arrestuarit dhe tjetrin në përdorim të bashkëpunëtorit në arrati. Në mjetet e sekuestruara u gjetën pesticide të përdorura në kultivimin e bimëve narkotike.
Policia e Krujës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe për vënien para drejtësisë të personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë
Krujë/Vijon plani policor i posaçëm, i koduar “Koordinata”, për nxjerrjen para përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
U identifikua dje, si autor i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Rranxë, lokalizohet dhe kapet 48-vjeçari.
Punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, gjithashtu të identifikuar dje.
Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet e inteligjencës policore, për kapjen e 2 shtetasve të cilët u identifikuan si bashkautorë të kultivimit të 136 bimëve narkotike, në fshatin Rranxë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, lokalizuan dhe vunë në pranga njërin prej tyre, konkretisht shtetasin S. H., 48 vjeç.
Gjatë veprimeve operacionale të kryera dje u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, automjeti i shtetasit S. H. dhe automjeti i bashkëpunëtorit të tij, shtetasit A. H., në të cilat u gjetën pesticide që përdorën në bujqësi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.