Arrestohet një praktikante e NATO-s, dyshohet për spiunazh

Një grua kanadeze me origjinë kineze, e cila kishte qenë praktikante në një nga objektet kryesore të NATO-s në Belgjikë, është arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe përfshirje në një organizatë kriminale, ka bërë të ditur prokuroria belge.

Sipas autoriteteve, gruaja dyshohet se ka vepruar në emër të një vendi të tretë, megjithëse nuk është bërë e ditur se për cilin shtet bëhet fjalë.

Prokuroria ka deklaruar se hetimet janë në vazhdim dhe se për momentin nuk do të publikohen të dhëna të tjera për identitetin e të dyshuarës, shkruan reuters.

E dyshuara kishte punuar si praktikante në SHAPE (Supreme Headquarters Allied Powers Europe), selinë kryesore të komandës ushtarake të NATO-s në Mons të Belgjikës. Ky objekt është një nga qendrat më të rëndësishme të Aleancës, ku koordinohen operacionet dhe planifikimet ushtarake të NATO-s në Evropë.

Prokuroria belge nuk ka dhënë detaje mbi natyrën e dyshuar të veprimtarisë së saj, kohëzgjatjen e praktikës apo informacionet që ajo mund të ketë pasur qasje. Megjithatë, rasti po trajtohet me seriozitet për shkak të vendit ku ajo ishte angazhuar dhe rolit strategjik të SHAPE brenda strukturave të NATO-s.

Arrestimi vjen në një periudhë kur vendet anëtare të NATO-s kanë rritur vigjilencën ndaj kërcënimeve të spiunazhit dhe ndërhyrjeve të huaja, veçanërisht në institucionet që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.

Autoritetet belge pritet të japin më shumë informacione pas përfundimit të fazave fillestare të hetimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme