Është arrestuar Nuredin Dumani, një nga të shumëkërkuarit e policisë dhe autori i dyshuar i atentatit në Elbasan, ku mendohet se i plagosur ka mbetur Talo Çela.
Burime për “Gazeta Shqiptare” bëjnë të ditur se Dumani në momentin e arrestimit ka qenë i plagosur. Ai ka qenë i kërkuar për disa vrasje në Elbasan.
39-vjeçari Dumani ishte shpallur në kërkim për vrasjen e vëllait të Talo Çelës. Ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Sipas burimeve, mësohet se Nuredin Dumani është identifikuar nga kamerat e sigurisë teksa qëllonte me pistoletë ndaj Bujar Çelës.
Dyshohet se Dumani ishte i pari që qëlloi në drejtim të 62- vjeçarit Çela, ky i fundit ishte duke konsumuar kafenë e mëngjesit në një lokal. Dumani dyshohet edhe si vrasësi i vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e ndodhur në muajin maj të këtij viti, si edhe për një tjetër vrasje në Rrogozhinë të ndodhur së fundmi.