Arsenal armësh në banesë/ Policia i vihet pas vëllait të ‘trurit’ të grabitjes së Rinasit. Kush është Ilir Murataj

Një arsenal i tërë armësh dhe fara të bimës narkotike kanabis sativa u sekuestruan në një banesë në Tropojë, ndërsa Policia e Kukësit tha se ka shpallur në kërkim poseduesin e tyre.

Ilir Murataj, 53 vjeç, banues në fshatin Çerem të Tropojës, u shpall në kërkim, pasi në banesën e tij u gjet një armë zjarri automatike, një pushkë tip snajper, një sasi municioni luftarak, fara të dyshuara narkotike kanabis, dylbi dhe elektrik dore.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri automatike, pushkë tip snajper, një sasi municioni luftarak, fara të dyshuara narkotike kanabis, dylbi dhe elektrik dore. Në vijim të veprimeve, u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e pronarit të banesës, shtetasit I. M., 53 vjeç, banues në fshatin Çerem, Tropojë”, sqaroi Policia.

Po kush është Ilir Murataj dhe lidhja e tij me Admir Muratajn:

Ilir Murataj është vëllai i Admir Muratajt, i cili njihet si “truri” i grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit të Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 prill të vitit 2019. Një shumë e madhe parash, prej rreth 10 milionë eurosh, u grabit nga një grup personash të veshur si komando të ushtrisë dhe të maskuar, midis të cilëve edhe Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë po atë ditë.

Murataj dyshohet se humbi jetën gjatë shkëmbimit me armë zjarri me forcat e rendit, ndërsa shokët e tij mundën të arratisen me thasët me para, që banka e nivelit të dytë do t’i dërgonte në Vjenë. Po në atë periudhë u bë i njohur edhe emri i Ilir ose Cen Muratajt, i cili foli publikisht në media në lidhje me ngjarjen e rëndë. Ndërsa priste të tërhiqte nga morgu trupin e pajetë të vëllait të tij, ai hidhte dyshime se Admiri mund të ishte vrarë nga shokët që e kishin prerë në besë.

Pas identifikimit të trupit të pajetë, rezultonte që Murataj të ishte person në kërkim nga autoritetet greke dhe me precedentë të shumtë penalë. Ai u arrestua në janar të 2013-ës në Greqi, i akuzuar për disa grabitje në banesa, banka dhe automjete, por qëndroi në burg vetëm për 2 muaj, pasi arriti të arratisej nga qelitë. Emri i tij u bë i njohur në Shqipëri po atë vit, pasi së bashku me 11 shqiptarë të tjerë, kryen arratisjen e bujshme nga burgu i Trikallasë.

Më 23 mars, një grup i armatosur nga jashtë burgut sulmoi me armë zjarri rojet duke lënë të plagosur edhe dy prej tyre dhe bënë të mundur arratisjen. Disa prej anëtarëve të grupit mundën të hynin në Shqipëri, duke kryer ngjarje të tjera kriminale në vendin tonë./GSh

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme