Gazetare: Melihate Rustemi
Një pjesë e shkollave të mesme profesionale vazhdon të mbetet me numër të vogël të nxënësve, pavarësisht paralajmërimeve të Ministrisë së Arsimit se shumica e shkollave të mesme thuajse kanë plotësuar vendet e parashikuara. Në shkollën “8 Shatori” tashmë edhe PTT ka 247 vende të lira për 5 paralele në tre drejtime. Sipas mësimdhënësve, numri i ulët i nxënësve ka të bëj me mungesën e kushteve të deritanishme në shkollën e PTT për paralelet më mësim në gjuhën shqipe.
“Janë diku edhe 247 vende të lira për pesë paraleleve, të tre drejtimeve, drejtimi i komunikacionit, shpedicionit, drejtimi elektro dhe drejtimi i shkencave kompjuterike për programues. Risi është se shkolla jonë prej sivjet bashkohet me “8 Shtatori”. Arsyeja kryesore ka qenë se kushtet në objektin e vjetër nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Është arrit që të bëhet një marrëveshje mes dy shkollave ku ne do të transferohemi te “8 Shtatori” dhe nxënësit tonë të kenë kushte pak më të mira për mësim. Kjo, besoj se do të jetë një impuls tjetër për nxënësit që të vijnë më tepër te shkolla jonë dhe interesimi me siguri do të shtohet”, deklaroi Meriton Berisha, mësimdhënës.
Në shkollën profesionale “Boro Petrushevski” janë regjistruar mbi 200 nxënës me mësim në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Vende të lira ka edhe për 100 gjysmëmaturantë të tjerë, thuajse në të gjitha profilet.
“Këtë vit jemi pak më mirë se vitin e kaluar, diku 15 nxënës më shumë nëqoftëse e krahasojmë me vitin e kaluar sidomos te drejtimet e makinerisë është situata më e mirë se e kemi edhe një drejtim të ri, teknik për veturat elektrike. Por nuk ka nxënës aq sa duhet, sikurse vitin e kaluar, te komunikacioni rrugor dhe teknik për transport shpedicion. Atje I kemi nga 10 nxënës, te drejtimi teknik për komunikacion rrugor dhe teknik për transport dhe shpedicion”, tha Zekirija Zekiri, QSHA Boro Petrushevski.
Sipas Ministrisë së Arsimit, në dy afatet për regjistrim të gjysmëmaturantëve në vitin shkollor 2023/2024 janë regjistruar 15.481 nxënës, gati dy të tretat e tyre në shkollat profesionale. Sipas renditjes, në arsimin profesional janë regjistruar 10.277 nxënës, në gjimnaze 4.603, në arsimin sportiv 414 dhe në arsimin artistik 187 nxënës. Sipas gjuhës së mësimit, për mësim në gjuhën maqedonase janë regjistruar 11.325, në gjuhën shqipe 3.852, në gjuhën turke 298 dhe në gjuhën serbe 6 nxënës. Regjistrimi në afatin e radhës do të bëhet më 21 gusht në shkollat ku ka vende të lira. /Alsat.mk