Art në vinil. Disqe gramafoni të vjetra janë përdorur për t’u dhënë jetë përmes plastelinës, imazheve të këngëtarëve të njohur që kanë shenjuar muzikën botërore në zhanre të ndryshme. Artisti Joni Margjeka ka çelur një ekspozitë me 25 vepra në “Shtëpinë e Europës” në Tiranë.
“Disqet e gramafonit kanë dalë jashtë përdorimit me zhvillimin e teknologjisë por të kthejnë në kohë e të japin idenë e muzikës. Janë materiale të ricikluara dhe jam munduar të përdor disqe që kanë dalë jashtë funksionit ose janë të vjetra, ose që nuk janë antikuare. Ndërsa plastelinen e njohim të gjithë”.
Nga Tefta Tashko te Michael Jackson, për artistin Joni Margjeka ata janë artistët që kanë shenjuar jetën e tij ose kanë formuar shijet e tij artistike. E në mes tyre është edhe një gramafon që luan pa përcjellë muzikë.
“Personazhet që kam portretizuar kanë luajtur një rol të vogël në zhvillimin tim shpirtëror. Gramafoni luan pa muzikë dhe është pjesë e instalacionit. Të jep idenë e lëvizjes dhe është kombinim i dy materialeve dhe formave të ekspozimit. Duket se veprat pluskojnë në ajër e të japin idenë e valës që përcohet”
Me materiale jokonvencionale emra arti që shpesh ishin kontroves e jokonvencioanal, ekspozita e mbështetur nga BE bashkon histori e personazhe në një kënd ku Bethoven qëndron në krye dhe përfaqëson simfoninë e 9, bazën e himnit të Europës.