As Policia e as Prokuroria, por Hoxhaj dhe dy ministrat serbë merren me ‘hetimet’ rreth vrasjes së Ivanoviqit

Akuza dhe kundërakuza rreth hetimeve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq ka pasur që nga dita e djeshme në mes zyrtarëve serbë dhe kosovarë.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq akuzoi institucionet kosovare se nuk po bashkëpunojnë lidhur me hetimet për vrasjen e Ivanoviqit.

Stefanoviq ka thënë se Serbia është e interesuar në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit mirëpo nuk po ka interesim nga pala kosovare. Tutje ai i ka bërë thirrje EULEX-it që të merret seriozisht në zgjidhjen e këtij rasti, shkruan lajmi.net.

Pas kësaj deklarate ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj duke thënë se vrasja e Ivanoviqit i ka rrënjët në politikën destruktive të Serbisë dhe përgjigjet për të fshihen në Beograd.

Kundër-reagim erdhi sot nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. “Autoritetet e Prishtinës duhet të përgjigjen në pyetjen se kush e vrau Ivanoviqin, e kjo çështje i takon edhe BE-së”, u shpreh Daçiq.

Ai ka theksuar se ‘Ivanoviq është larguar nga paraburgimi para vrasjes në të cilën e vendosën shqiptarët e Kosovës’.

Ndërkohë edhe Stefanoviq sot i komentoi deklaratat e Hoxhajt duke thënë se hetimi për Ivanoviqin do të tregojë se përgjigjet po fshihen në Prishtinë.

“Kanë kaluar mbi katër muaj që nga vrasja e Oliver Ivanoviq, ndërkaq autoritetet e Prishtinës që morën pamjet e kamerave kanë pasur qasje për të gjithë dëshmitarët e mundshëm dhe plotësisht në kontroll vendin e kryerjes së krimit si dhe forenzikën, ata nuk kanë përparuar aspak në hetim dhe as që kanë treguar gatishmëri të veçantë për të zbuluar vrasësit”.

Në një prononcim për lajmi.net, zv.kryeministri, Enver Hoxhaj ka thënë se Serbia deri më tash nuk ka pas vullnet politik dhe përkushtim institucional për të bashkëpunuar me Kosovën dhe me institucionet ndërkombëtare për vrasjen e Ivanoviqit pasi dëshiron të fsheh të vërtetën.

“Fshehja e së vërtetës është pjesë e realitetit politik serb që ka të bëjë me shumë ngjarje në Serbisë, Kosovë dhe pjesë tjera të ish-Jugosllavisë. Motivet dhe arsyet e vrasjes së Ivanoviqit gjenden në Serbi dhe jo në Kosovë dhe përgjigja është në Beograd. Ky rast ka të bëj direkt me Serbinë”, ka thënë Hoxhaj.

Oliver Ivanoviq u vra rreth katër muaj më parë në veri të Mitrovicës./Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme