Gazetar: Ardit Ramadani
Përpos qytetarëve, as vetë gjykatësit në Maqedoninë e Veriut nuk besojnë se sistemi gjyqësor është i pavarur. Hulumtimi i Antikorrupsionit i realizuar me vetë gjykatësit, nxori në pah të dhëna alarmante për ndikime nga të gjitha anët në punën e tyre, ata madje nuk shohin shpresë pasi sipas tyre nuk ekziston një mekanizëm efikas për të mbrojtur funksionimin e gjyqësorit nga ndikimet e jashtme.
Gjykatësit janë shprehur se “duart” në punën e tyre për të ndikuar në vendime i fusin vetë kolegët e tyre gjykatës ndërsa 42 për qind prej tyre kanë përjetuar presion dhe përpjekje për ndikim nga eprorët e tyre, siç janë kryetarët e gjykatave.
Nën presion gjykatësit ndjehen edhe nga përfaqësues të partive politike, mbi një e treta e tyre janë shprehur se politikanët kanë tentuar të ndikojnë në punën e tyre. As pushteti ekzekutiv, në këtë rast siç janë Qeveria, ministria e Drejtësisë dhe MPB-ja, s’i lënë ato rehat të marrin vendime, 36 për qind e gjykatësve janë shprehur se këto institucione kanë tentuar të ndikojnë mbi punën e tyre.
Zëvendës ambasadori i ShBA-ve Eric Meyer u shpreh me tone të ashpra për situatën me sundimin e së drejtës në vend. Ai madje tha se i është dashur të mendojë dy herë nëse do të merrte pjesë në këtë ngjarje, pasi sipas tij, ShBA-ja vazhdimisht ka alarmuar për situatën.
“Vlerësimet për rreziqet e korrupsionit mund të jenë të dobishme vetëm në qoftë se të dhënat përkthehen në veprime, si ligje, strategji dhe rregulla. Këto janë vetëm fjalë në qoftë se mungon zbatimi i tyre dhe përkushtimi i vërtetë nga udhëheqësit. Të gjithë e dimë se diçka duhet të ndryshojë, status quo-ja këtu nuk po funksionon. Në Ambasadën e ShBA-ve ne në mënyrë rutinore dëgjojmë për akuza për korrupsion, më së shpeshti ne dëgjojmë për ndikim politik në gjyqësor, qofshin emërim të gjykatësve, shkarkimet ose në rezultatet e lëndëve dhe në vonesa” , deklaroi Eric Meyer, zëvendës ambasador i ShBA-ve në RMV.
Gjykatësit përveç punës së njëri-tjetrit, nuk besojnë as se institucioni më i lartë i Gjyqësorit, Këshilli Gjyqësor punon në drejtim të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit, 72 për qind prej tyre janë shprehur se ky institucion nuk punon në drejtimin e duhur.
Si rrezik më të lartë të korrupsionit në gjyqësor, gjykatësit vlerësojnë se janë keqpërdorimet e mundshme të ekspertëve dëshmitarë, të cilat shpesh herë mund t’i përgatisin ekspertizat në favor të porositësit, abuzimi nga avokatët me qëllim të zvarritjes së procedurave dhe cilësia e ulët e aktakuzave. /Alsat.mk