Asamblistët e VV-së përplasen me të larguarit për punësime në Ndërmarrjen Publike Banesore

Me plot akuza për punësime të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ishte përballur Ndërmarrja Publike Banesore, nga partitë opozitare në kryeqytet, gjatë vitit të kaluar.

Por tash, përplasjet për këtë ndërmarrje janë bartur në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe të larguarve nga kjo parti.

Shkak për të është bërë beteja për drejtimin e saj, raporton emisioni 038 në KTV.

Asamblisti i kësaj partie, njëherësh edhe aksionar i zgjedhur nga Kuvendi Komunal në këtë ndërmarrje, Egzon Azemi, akuzon të larguarit se po tentojnë ta marrin nën kontroll ndërmarrjen për të bërë punësime për “partinë e tyre të re”.

Ai është kundër caktimit të drejtorit të Pronës, Dren Kukaj, aksionar në NPB.

Pasi pranoi se në të kaluarën në këtë ndërmarrje janë punësuar aktivistë të Vetëvendosjes, ai kërkon që partia e tij të ketë kontroll mbi këtë ndërmarrje.

Edhe në NPB, tërthorazi, kanë pranuar se aty ka të punësuar aktivistë partish.

“Me shtimin e detyrave, shërbimeve dhe projekteve, NPB-ja ka punësuar punëtorë të rinj, një pjesë e të cilëve edhe mund të jenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, njëjtë mund të jenë edhe të ndonjë partie tjetër. Sipas Ligjit të Punës, të cilin e zbaton NPB-ja, bindjet politike nuk janë kriter për punësim apo largim nga punë të ndonjë punëtori”, ka thënë Rajmonda Ahmetaj, Zëdhënëse e NPB-së.

Ndërsa kanë shtuar se asnjëherë e asnjë palë nuk u ka bërë presion për punësime.

Përderisa në Zyrën për Informim të Komunës së Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, Azemit i është përgjigjur drejtori Kukaj.

Ky i fundit ka mohuar akuzat e ish-bashkëpartiakut të tij, duke thënë se interesi i vetëm i tij dhe kryetarit është fuqizimi i ndërmarrjes.

Por, ai ka pranuar se synojnë zgjedhjen e bordit të ri të ndërmarrjes, duke njoftuar se kjo çështje është në rend dite në mbledhjen e së hënës të komisionit të aksionarëve.

Përderisa është zotuar për transparencë, Kukaj nuk i ka garantuar rizgjedhje në krye të ndërmarrjes ish-bashkëpartiakut të tij, Nexhat Kryeziu.

Kukaj ka thënë se si aksionarë nuk kanë kompetenca menaxheriale, por vetëm caktimin e politikave drejtuese të ndërmarrjes.

Sipas tij, synim i ekzekutivit është sjellja e përvojave të suksesshme nga sektori privat dhe shtim të shërbimeve, duke mos u orientuar vetëm në mbledhjen e qirasë dhe rregullimin e hyrjeve të ndërtesave të vjetra.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme