Asgjësohen mbi 40 mijë rrënjë kanabis, procedohen 10 zyrtarë lokalë! Shpallen në kërkim kultivuesit

Policia e Shkodrës ka vijuar me intensitet operacionin e gjerë antidrogë të koduar “Koordinata”, duke zbuluar dhe asgjësuar një numër rekord bimësh narkotike në zona të thella të qarkut.


Në fazën më të fundit të operacionit, uniformat blu kanë identifikuar dhe asgjësuar 40,621 rrënjë bimë të dyshuara si kanabis sativa, të mbjella në parcela të fshehura në terrene të vështira dhe të paarritshme me mjete.

Aksioni është përqendruar kryesisht në territorin e bashkive Shkodër, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës, që prej javësh janë në fokus të kontrolleve intensive të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me forcat speciale dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

Në kuadër të hetimeve, janë proceduar penalisht 10 zyrtarë lokalë, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar kultivimin e bimëve narkotike në zonat që administrojnë.

Njoftimi:

Qarku Shkodër / Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike

Gjatë kontrolleve në territorin e qarkut Shkodër u gjetën dhe asgjësuan 40 621 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Për shpërdorim detyre procedohen penalisht 8 kryetarë fshatrash dhe 2 roje mjedisi.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe komisariatet në varësi të saj kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësive administrative Shalë, Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 15 790 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”:

D.V., kryetar i fshatit Pecaj

R.M., kryetar i fshatit Ura e Shtrenjtë

N.V., kryetar i fshatit Ndrejaj

L.M., kryetar i fshatit Nicaj

Gj. K., kryetar i fshatit Mollë

L.A., roje mjedisi pranë zonave të mbrojtura

Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Shkrel, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe asgjësuan 22 422 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Për këto raste u proceduan për shpërdorim detyre:

P.I., kryetar i fshatit Bzhetë

Gj. M., kryetar i fshatit Ducaj

M.Ç., roje pyjesh

M. B., kryetar i fshatit Lohë e Sipërme

Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës asgjësuan 2 409 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të paligjshëm.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme