Ashton: Vendet e Ballkanit duhet të vazhdojnë rrugën e integrimit

E premte, 28 Tetor 2016  –  Sakte.net

Shqetësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimit që mund të ketë daja e Britanisë nga Bashkimi Evropian, mbi procesin e zgjerimit janë të kuptueshme, thotë ish shefja e B.E.-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton.

Gjatë një diskutimi dje në Qendrën Wodrow Wilson në Uashington, zonja Ashton tha megjithatë se vendimi i votuesve britanikë për dalje nga B.E. nuk ka ndryshuar qasjen afatgjatë të Brukselit ndaj zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton “Zëri i Amerikës” shqip.

Pas miratimit të referendumit për daljen nga Bashkimi Evropian, Britania po shqyrton tani mënyrat e shkëputjes. Analistët thonë se Britania ka dy rrugë për dalje nga Bashkimi Evropian, të ashtuqujtarat rruga e butë dhe ajo e fortë.

“Në thelb, rruga e fortë do të thotë dalje e menjëhershme nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje për të ardhmen e marrëdhënieve me të, dhe në sytë e atyre që e shohin këtë si dalje të fortë, ne bëhemi një vend plotësisht i pavarur, i cili e sheh Evropën në distancë. Dalja e butë do të thotë një qëndrim sa më afër Evropës, në një distancë fare të vogël nga B.E., ku mund të kemi përfitime nga tregu i përpashkët, mund të bëjmë marrëveshje për çështje të ndryshme si imigracioni, që ishte çështje e madhe e fushatës për dalje nga B.E., e kam fjalën për imigracionin brenda Evropës, dhe ku ne do të operonim pothuaj sikur të ishim një vend anëtar, që do të mund të përfshinte kontributet financiare për buxhetin e B.E.-së për gjëra të caktuara si mbrojtja, siguria etj”, thotë ish-shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton.

Pavarësisht se cilën rrugë do të ndjekë, dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësime në Ballkan mbi aspiratat e anëtarësimit në strukturat euro-atlantike. Ish shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Catherine Ashton thotë se Britania ishte një vend pro-zgjerimit të Bashkimit Evropian, prandaj ajo i kupton shqetësimet e vendeve të Ballkanit në lidhje me ndikimin që kjo mund të ketë. Megjithatë, ajo thotë se kjo nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore qasjen e B.E.-së ndaj zgjerimit.

“Unë mendoj se ekziston një pritshmëri në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian se vendet e Ballkanit Perëndimor eventualisht do të bëhen anëtare të bllokut. Mendoj se kur njerëzit flasin për një lodhje nga zgjerimi dhe nëse Evropa duhet të vazhdojë procesin e zgjerimit, është zakonisht një vlerësim që e përjashton Ballkanin Perëndimor sepse ata supozojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor eventualisht do t’i bashkohen B.E.-së. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh ndaj kësaja qasjeje”.

Prandaj, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë më shumë në përmbushjen e detyrimeve të tyre për të treguar se ato duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, thotë zonja Ashton.

“Ka shumë punë për të bërë, vendet e Ballkanit tani po ndeshen me shumë sfida. Ato duhet të sigurohen që po bëjnë gjithshka që është e mundur në ndjekjen e rrugës drejt kësaj të ardhme. Por, për mua kjo rrugë është absolutisht e sigurt.”

Në lidhje me përpjekjet e Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor përmes investimeve dhe metodave të tjera, zonja Ashton tha se këto vende duhet të jenë të kujdesshme ndaj këtyre veprimeve. Ajo shtoi se këto vende duhet të vendosin vetë se çfarë rruge duan të ndjekin.

“Investimet janë pozitive por ato nuk duhet të lidhen me disa përpjekje për të ndryshuar drejtimin që njerëzit kanë zgjedhur për vendin e tyre. Në bazë të prëvojës sime me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Kosovën dhe Serbinë, ato kanë bërë zgjedhjen e tyre mbi atë se cila është e ardhmja e tyre më e mirë nga pikëpamja ekonomike dhe ajo që duan banorët e tyre. Njerëzit e këtij rajoni kanë patur një kaluar të vështirë dhe ata meritojnë një të ardhme paqësore dhe të sigurt”.

Catherine Ashton, e cila ishte ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, kur këto dy vende nënshkruan Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve, tha se dialogu duhet të vazhdojë pasi përmes tij mund të punohet drejt përmirësimit të jetës së banorëve të dy vendeve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme