Askush nuk e keqpërdori emblemën e shenjtë të UÇK-së aq sa drejtuesit e OVL-së, PDK-së dhe BDI-së!

Nga Kim Mehmeti

Nuk ka dyshim se shumica e të rinjve shqiptarë që protestojnë në Prishtinë ndihen të lënduar e të përçmuar, sepse Perëndimi, të cilit aq shumë i besonin, themeloi një gjykatë monstër, ku do të dënoheshin çlirimtarët tanë.

Sikurse nuk ka dyshim se, si shumë herë deri tani, drejtuesit e OVL-së dhe të PDK-së këtë revoltë rinore duan ta keqpërdorin për ta kthyer kundër qeverisë dhe kundër VV-së, pra kundër atyre që e kundërshtonin, kur duhej, themelimin e kësaj gjykate.

Pra, këto protesta shprehin ndjenjën e pastër rinore kundër një padrejtësie që u bëhet çlirimtarëve tanë, por gjithashtu këto protesta shpërfaqin edhe pafytyrësinë e atyre që duan ta shpërlajnë veten, duke e drejtuar këtë revoltë kundër atyre që me kohë thoshin se vota pro kësaj gjykate ishte votë kundër UÇK-së.

Kundër atyre që me kohë thoshim se nuk duhet pranuar çdo gjë që vjen nga Perëndimi, e të cilët drejtuesit e PDK-së i quanin antiamerikanë.

Andaj, shtrohet pyetja: nëse ata që e kundërshtonin themelimin e kësaj gjykate asokohe trajtoheshin si anti perëndimorë dhe dëmtues të interesave të Kosovsë, atëherë kundër kujt janë sot drejtuesit e OVL-së dhe të PDK-së, që propozojnë ligj për zhbërjen e kësaj gjykate, gjykatë e cila nuk do të themelohej nëse nuk do ta donin SHBA-ja dhe BE-ja dhe e cila nuk do të guxonte të dënonte asnjë luftëtar të UÇK-së, nëse do ta dinte se kjo do t’i revoltonte financuesit e saj?

Po, nuk ka dyshim se protestat në Prishtinë kryesisht janë fryt i revoltës rinore kundër qendrave perëndimore që duan t’i barazojnë çlirimtarët tanë me kriminelët serbë.

Por, gjithashtu, nuk ka aspak dyshim se drejtuesit e OVL-së dhe të PDK-së nuk janë gjithaq të brengosur për fatin e çlirimtarëve tanë në Hagë, sa për rrezikun politik që u kanoset nga një Albin dhe një VV që i do populli.

Sikur të ishte ndryshe, ata do ta ngrinin zërin edhe kur Gjykata e Hagës dënoi me burgime shumëvjeçare edhe dy çlirimtarë të tjerë dhe nuk do i prisnin me shkelma deputetët e VV-së, po ata të PDK-së që e votuan themelimin e kësaj gjykate.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se si nuk u gjet një burrë në radhët e OVL-së dhe PDK-së, si dhe ndër ata që ia zbuluan emrin lirisë, që t’u thoshte drejtuesve të vet: ‘Zotërinj, jemi të vonuar! Këto protesta duhej t’i organizonim ditën kur i besuam Piktorit dhe UÇK-në ia ‘shitëm’ Perëndimit, duke e themeluar Gjykatën e Hagës.’

Pra, mbetet e paqartë se si nuk u gjet një burrë t’i pyeste drejtuesit dhe disa nga ata që e shajnë Kurtin dhe VV-në: mos vallë ju sot e keni kuptuar se ajo gjykatë nuk u themelua për t’u ndarë dekorata komandantëve të UÇK-së, por për t’ia bërë qejfin Serbisë, duke i barazuar çlirimtarët tanë me kriminelët serbë?

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme