Policia e Kosovës kishte zhvilluar hetime trevjeçare për ta gjetur Nakshije Kodrollin e lajmëruar si e humbur më 2008. Kishte kontaktuar edhe me Policinë e Austrisë. Në fund, ishte dërguar një Raporti i Vecantë në Prokurorinë Themelore. Në këtë të fundit s’kanë kthyer përgjigje se çfarë veprimesh hetimore janë ndërmarrë për të zbardhur humbjen e vajzës nga Obiliqit.
Express
Policia e Kosovës kishte intervistuar 11 dëshmitarë dhe një të dyshuar lidhur me rastin e Nakshije Kodrollit, e cila është zhdukur prej qershorit të vitit 2008.
Mirëpo, rastin e ka mbyllur më 2011 dhe ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë me raport të veçante.
“Rasti me të gjitha shkresat e lëndës është dërguar në PTH, ne mars te vitit 2011, me Raport të Veçantë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Express.
Policia kur nuk gjen persona konkret për hetimet që bën harton një Raport të Veçantë, ku ia dërgon provat preliminare Prokurorisë, e cila është e obliguar të japë urdhëra të ri për të zbardhur rastin.
Mirëpo, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë s’kanë dhënë asnjë informacion se ku ndodhet lënda e vajzës së humbur nga Obiliqi. Kanë thënë se i kanë dërguar kërkesë departamenteve përkatëse dhe ende s’kanë marrë përgjigje.
Megjithëkëtë, përpos hetimeve në Kosovë, Policia ka komunikuar përmes bashkëpunimi ndërkombëtar edhe me Policinë e Austrisë, mirëpo, s’ka pasur ndonjë rezultat në zbardhjen e rastit.
“Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore përfshirë këtu dëshmitarë në numër njëmbëdhjetë (11) persona, brenda tyre familjarë dhe të tjerë, një e dyshuar, si dhe veprime tjera hetimore, me qëllim të gjetjes së personit të zhdukur”, thuhet më tej në përgjigje.
Rasti i humbjes së Nakshije Kodrollit ishte lajmëruar në stacionin policor mbrëmjen e 6 qershorit të vitit 2008.
“Me datën 04.06.2008, në ora 23:30, në Stacionin policor Obiliq, ankuesja ka raportuar në polici rastin e zhdukjes së N. K. e cila kishte dal nga shtëpia me datën 03.06.2008 rreth orës 21:00, dhe nga ajo kohë ka humbur kontaktet me familje dhe nuk dihet gjë për vendndodhjen e saj.
Në një rrëfim për Gazetën Express, babai i vajzës së zhdukur thotë se po kërkon ndihmën e të gjithë njerëzve për ta gjetur bijën. Ajo ishte larguar nga shtëpia për të blerë bukë mbrëmjen e së martës së parë të qershorit të vitit 2008.
“E kam kërkuar në gjithë Kosovën. Kam shku disa herë në Shqipëri dhe s’kemi gjetur asnjë gjurmë të vajzës”, thotë Sabiti teksa ende shpreson se një ditë do të marrë një njoftim për të bijën.
Nakshije Kodrolli, e lindur më 16 prill të vitit 1982 në Vushtrri, ishte lajmëruar si e zhdukur në stacionin e Policisë para 137 muajsh. Kishin nisur hetimet, por asnjë rezultat s’ka dalë prej tyre. Lënda është transferuar në Prokurorinë Themelore.
Familja Kodrolli thotë se institucionet e hetuesisë s’kanë bërë pothuajse asgjë për këtë rast.
Lënda është regjistruar në Prokurorinë Themelore pa u zbardhur dhe është arkivuar me numër “PPP-441-1/2011”. Në Policinë e Kosovës kanë thënë se lënda ka kaluar në Prokurori.
Për këtë rast ishin intervistuar disa persona derisa hetimet kanë mbetur në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Megjithëkëtë, pensionisti nga Obiliqi nuk është ndalur së kërkuari të bijën. Thotë se s’po e akuzon askënd, por po kërkon të zbardhet humbja e vajzës së tij.
Madje, kërkon që nëse është gjallë, e bija e tij t’i lajmërohet.
“Edhe nëse është martu, edhe nëse ka fëmijë, kudo që është, nuk ka me e çortu kurrkush për kurrgjë, veç te di ku është, edhe nëse ka vdekë, varrin ta di ku e ka, të kom shpirtin e qetë”, thotë prindi i vajzës.
Ish-punëtori i KEK’ut thotë se shpreson ende se një ditë do ta takojë dhe do të flasë me bijën e tij, e cila tash do t’i kishte 37 vjet. Ai thotë se në prokurori lënda e bijës së tij nuk është marrë seriozisht. Thotë se dikush në organin e akuzës i kishte thënë se lënda e vajzës është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.
“Asnjë informacion nuk e kemi. As a është gjallë apo e vdekur”, deklaron ai teksa i rrjedhin lotët.
Babai i katër fëmijëve thotë se e gjithë familja është traumatizuar nga rasti i zhdukjes së vajzës. Tregon se ka shkuar disa herë në Shqipëri për ta kërkuar të bijën, por nuk ka pasur asnjë rezultat.
Herën e fundit Sabiti thotë se shkoi vitin e kaluar më 9 maj në Tiranë për të futur të bijën në sistemin e kërkimit nga INTERPOL-i.
“Katër fotografi dhe pasaportën e vajzës i kom dërgu në Shqipëri për me e shti në Interpol, pasaportën aty e ka, më kanë thanë se nëse diku ka dhënë gisht edhe me emër tjetër, na del që është vajza ime, a e kanë shti a veç më kanë mashtru nuk e di”, deklaroi ai.
Në listën e INTERPOL’it s’është asnjë person me emrin vajzës nga Obiliqi, e lajmëruar si e humbur në Shqipëri.
Sidoqoftë, Sabit Kodrolli thotë se ka shkuar edhe në disa emisione në televizionet e Shqipërisë për të kërkuar të bijën, por s’kanë marrë asnjë informacion.
Në anën tjetër, në Polici kanë thënë se vetëm këtë vit janë raportuar 211 raste, ndërsa vitin e kaluar ishin lajmëruar si “persona të zhdukur” 247 raste.
Kushdo që ka ndonjë informacion për Nakshijen mund të njoftoni familjarin e saj në numrin e telefonit: +38344399460