Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë përmendur muajin qershor të këtij viti si optimal për heqjen e vizave nga Bashkimi Evropian, por aktualisht nuk ka kurrfarë indikacioni se vizat do të hiqen, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ndonëse janë bërë nëntë vjet prejse krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës kanë nisur premtimet për liberalizim, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të mos kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në zonën Shchengen. Madje zotimet nëntëvjeçare të liderëve kosovarë mund të mos jetësohen as përgjatë këtij viti, pavarësisht faktit që pushtetarët e tanishëm kohët e fundit si datë optimale për heqjen e vizave e kanë përmendur muajin qershor 2019.
Kështu konsiderojnë njohësit e proceseve integruese, të cilët thonë se është e pamundur që pas dy muajsh të ketë vendim pozitiv për vizat. Megjithëkëtë, ata thonë se për të vlerësuar nëse regjimi i vizave do të hiqet duhet pritur rezultati i zgjedhjeve parlamentare në BE, që do të mbahen në maj të vitit 2019.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili që nga viti 2010 kishte nisur të zotohej për heqjen e vizave, ka deklaruar tashmë se vendimi për vizat do të merret gjatë muajit qershor të këtij viti. Një gjë të tillë e ka thënë edhe shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të zyrtarë të lartë të BE-së që të mos jepen data lidhur me këtë çështje.